E Diel, 1 Nëntor 2026

K. Ronaldo, 20 milionë euro penalizim nëse refuzon Realin

Reali i Madridit duket i paralizuar pas skandalit ku presidenti Ramon Kalderon kishte manipuluar votat në Asamblenë e klubit. Kreu "merengues" dha dorëheqjen, duke këmbëngulur se është i pafajshëm, megjithatë ngjarja tronditi jo pak ambientin e gjigandëve iberikë. Por, Kalderon duket se i ka bërë një "shërbim" të fundit Realit: sipas zërave që vijnë nga Spanja, fituesi i "Topit të Artë" jo vetëm që kishte arritur marrëveshjen, por kishte firmosur edhe një kontratë, e cila parashikonte 20 milionë euro penalizim nëse refuzon të transferohet në "Santiago Bernabeu". Kjo marrëveshje hyn në fuqi vetëm në rast se Mançester Junajted pranon ofertën prej 80 milionë eurosh për kartonin e mesfushorit portugez. Operacioni mund të realizohet në qershor të këtij vitit, menjëherë pas përfundimit të sezonit, ndërkohë që për merkaton e dimrit nuk parashikohen më blerje të bujshme. Madrilenët janë mjaftuar me afrimet e Huntelar e Diarra (ku shpenzuan afro 42 milionë euro) dhe për momentin po interesohen për 28-vjeçarin "e panjohur", Ibrahima Jatara. Mesfushori i krahut me origjinë nga Guinea militon në radhët e turqve të Trabzonsporit dhe mund të transferohet në formë huazimi në La Liga. Kalderon kishte planifikuar gjithçka deri në detaje, madje kishte marrë premtimin e futbollistit se në momentin e duhur do të deklaronte publikisht "dashurinë" për Realin (në këtë mënyrë Sër Aleks Ferguson do të dorëzohej dhe do të pranonte ofertën). Një mekanizëm perfekt, por që pengohet nga largimi i ish-drejtuesit të kampionëve të Spanjës në fuqi. Ikja e Kalderon e ndryshon plotësisht situatën. Nëse në krye të klubit emërohet Florentino Perez, marrëveshja mund të vazhdojë të cilësohet e vlefshme, nëse ky është vullneti i drejtuesve. Askush në Madrid nuk dyshon për kualitetin e Kristiano Ronaldos, por njeriu që i dha skuadrës imazhin "galaktik" nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me blerje që janë siguruar nga të tjerët. Për këtë arsye, ai mund të përqendrohet te "sulmi" ndaj Kaka. Megjithatë, edhe këtu çështja është e komplikuar: pasi refuzuan Mançester Sitin, Milani dhe lojtari duket se nuk kanë më dëshirë të përsërisin të njëjtën histori.

Problemet

Në një kohë kur Kristiano Ronaldo vazhdon të jetë objektivi kryesor i Realit, mamaja e tij ka treguar "sekretin" e "Lojtarit të Vitit 2008". Ajo zbuloi se në moshën 15-vjeçare, ylli portugez rrezikoi të largohej nga futbolli për shkak të mosfunksionimit të mirë të zemrës. Dolores Aveiro tha: "Edhe kur nuk merrej me aktivitet fizik, zemra e tij kishte frekuenca të larta në rrahje. Në atë periudhë jetonim në Mandeira dhe unë lejova ndërhyrjen me laser që situata të stabilizohej. Ishim të gjithë të trembur, sepse Kristiano rrezikonte të mos luante më futboll".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›