E Diel, 1 Nëntor 2026

Pele: Robinjo, Adriano e Ronaldo më kanë zhgënjyer

Pele hidhet në sulm. Legjenda e gjallë e futbollit brazilian lëshon një shuplakë të fortë për tre talentet problematikë të "seleçaos", Robinjo, Adriano dhe Ronaldo. "Ne kemi punuar shumë që t‘u hapim dyert brezave të rinj, ndërsa këta të tre po ia mbyllin. Problemet që ata shkaktojnë më trishtojnë: Robinjo është një lojtar i klasit botëror, por akuzat ndaj tij për përdhunim nuk i bëjnë mirë futbollit të vendit tonë". I intervistuar nga "Folha", Edison Arantes do Nashimento, i njohur nga të gjithë si Pele, flet me tone të ashpra, megjithëse lojtari i Mançester Sitit ka hedhur poshtë çdo akuzë të vajzës 18-vjeçare. "Ne kemi bërë shumë për futbollin dhe për të rinjtë që erdhën pas nesh. Ndërsa sot sheh me keqardhje se një lojtar i njohur, i cili duhet të jetë shembull për të gjithë, bën veprime të tilla". Robinjo është rritur si profesionist te Santos, klubi i cili zbuloi Pelenë. "Në të kaluarën i kam dhënë shumë këshilla dhe ai më dëgjonte, përfundoi 68-vjeçari. Tani është i rritur, e kam më të vështirë t‘i flas. Gjithsesi kam një ndjenjë faji, pasi Robinjo është krijesa ime".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›