E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha inaguron punimet në rrugën e Voskopojës

Kryeministri Berisha është ndalur në komunën Voskop të Korçës, ku ka inaguruar nisjen e punimeve të rrugës së Voskopojës. Gjatë takimit me banorë të komunës, Berisha ka premtuar lëvizje të lirë në Evropë në mandatin e dytë dhe bëri apel për aplikim. 

KORÇE- “Po ndryshojmë Shqipërinë”, kështu i është drejtuar kryeministri Sali Berisha banorëve të komunës Voskop në Korçë. Turi i tij është ndalur në përurimin e fillimit të punimeve të rrugës së Voskopojës, teksa ka përfituar nga ky udhëtim për tu takuar me banorët e zonës. Përpara tyre kryeministri ripërsëriti edhe njëherë premtimet për qeverisjen e ardhshme në rast të fitores të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Me punë e mund dhe me djersë bëmë që 27 vende të BE në një kohë rekord të votojnë dhe firmosin MSA-në me Shqipërinë, bëmë që 27 vende të BE në kohë rekord, të pranojnë kërkesën tonë për anëtarësim të plotë në BE. Unë ju jap fjalën e nderit, se vitin e parë, të mandatit të dytë, do të lëvizni pa viza në tërë Evropën si qytetarë të mirë të saj”- tha kreu i ekzekutivit Berisha.

Ashtu si në ndalesat e tjera Berisha edhe në këtë takim ai nuk ka kursyer apelin për aplikim për karta si një mjet i rëndësishëm identifikimi për të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›