E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, inaugurim fals kartave të identitetit, qytetarët sorollaten zyrave pa përgjigje

Kartat e identitetit nuk kanë mbërritur në asnjë zyrë. Askush nuk e di arsyen 
Megjithëse u reklamuan me shumë bujë, u kërkua aplikim i shpejtë dhe me domosdoshmëri për to, kartat biometrike do të duan kohë për të mbërritur në dorë të qytetarëve. Ndërsa në rrethe ende nuk ka nisur aplikimi për këtë dokument, në Tiranë ky proces ka mbetur në tërheqjen e tij.

 Kështu, qytetarët vazhdojnë të sorollaten zyrave, diku për të aplikuar e dikur për të mbaruar punë një herë e mirë me këtë procedurë disa ditore, e cila në të vërtetë duket se po zgjat me muaj të tërë. Aplikuesit e kartave janë paraqitur për të dytën herë në zyrat ku kanë aplikuar për tu pajisur me letërnjoftimin biometrik, por kanë mbetur serish të zhgënjyer. Kartat e identitetit, të cilat nisën dy ditë më parë të prodhohen, proces i cili u inagurua nga kryeministri Berisha, ende nuk kanë mbërritur në këto zyra. Punonjëset e zyrave të aplikimit nuk dinë se çfarë përgjigje mund t'u japin qytetarëve dhe se kur këta të fundit mund të rikthehen për të marrë letërnjoftimin e shumëpritur. Gjatë reklamave të para të këtij procesi, u bë e ditur se ky dokument do të merrej 12 ditë pas ditës së aplikimit, por ky afat tashmë është shkelur. Më pas, qytetarëve iu dhe një tjetër alternativë. Ata do të duhet të paraqiteshin kur të shikonin në televizor kryeministrin, teksa jepte kartën e parë. Por edhe ky afat u shkel pasi një ditë pas daljes së kryeministrit në televizor, qytetarët janë përcjellë sërish duarbosh porsa i përket kartave. Kështu, qytetarët tashmë nuk dinë se kur mund të paraqiten në një datë të saktë për të shpënë në dorë kartën e identitetit, për të cilën kanë paguar edhe shumën prej 1200 lekësh të rinj. Megjithatë, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka hapur një dritë jeshile, por që do të ndizet vetëm pas disa ditësh. Sipas Ponit,   do të duhen ende edhe 10 ditë të tjera në mënyrë që këto karta të mbërrijnë në zyrat e aplikimit.
Në rrethe
E ndërsa në Tiranë pritet të merret letërnjoftimi i përgatitur, në rrethe, situata paraqitet edhe më e rëndë. Në disa rrethe të vendit, mësohet se ende nuk ka nisur aplikimi për letërnjoftimin biometrik. Procesi i aplikimit jo vetëm që nuk ka nisur ende, por madje autoritetet përkatëse nuk dinë deri tani as një datë se kur mund të nisë. E megjithëse qytetarët pyesin çdo ditë për datën se kur do të mund të aplikojnë, edne nuk kanë mundur të marrin një përgjigje të saktë, pasi në të vërtetë askush nuk di t'u  japë një përgjigje. Kështu, procesi i shumëreklamuar, ashtu si shumë premtime por dhe projekte të tjera të kësaj qeverie, ka mbetur në mes dhe tepër konfuz si për qytetarët, ashtu edhe për autoritetet përgjegjëse. Në fillim mungonin kuponat,  aparaturat e ambientet, ndërsa tani mungojnë vetë kartat. Askush se merr vesh se ç' behet por një gjë është e sigurt. Pajisja me karta identiteti po rezulton një proces jo i mirëorganizuar dhe mjaft kompleks, i cili nuk dihet sesa do të zgjasë, megjithëse zgjedhjet po afrojnë. Kanë mbetur rreth 5 muaj nga data e zgjedhjeve, por deri tani nuk është pajisur asnjë qytetar me kartën e identitetit, pa të cilën askush që ka mbushur moshën, nuk do të mund të votojë. Në prefekturën e Gjirokastrës, mësohet se deri tani janë bërë gati listat e personave që do të duhet të pajisen me kartë identiteti, por lidhur me fatin e aplikimit për ta marrë atë, ende nuk mund të përgjigjet njeri. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe rrethe të tjera, të cilat gjithashtu nuk dihet se kur do të mund ti pajisin qytetarët e tyre me këtë dokument aq të rëndësishëm.      

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›