E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet votimi për buxhetin e Tiranës



Anulohet votimi i buxhetit të Tiranës. Mes debatesh të ashpra dhe replikash mes këshilltarëve dhe kreut të bashkisë, edhe ditën e djeshme buxheti nuk ka mundur të marrë votat e domosdoshme për t’u miratuar. Në momentet e fundit të mbledhjes, kur kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, ftoi këshilltarët të votojnë në parim buxhetin, kryetari Rama, duke marrë rolin e sekretariatit të Këshillit Bashkiak filloi të numërojë votat pro të këshilltarëve. Kryebashkiakut i rezultuan 29 vota pro, duke deklaruar se buxheti kaloi. Gjatë votimit, ndryshe nga këshilltarët e PD-së dhe LSI-së, votuan pro këshilltari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim dhe një prej këshilltarëve republikanë. Por, pas reagimit të këshilltarëve, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, kërkoi rinumërimin e votave. Kaq mjaftoi që këshilltarët të vijonin me replika të ashpra me kryebashkiakun Rama, çka detyroi z. Dervishaj të shpallë të pavlefshëm votimin dhe të shpërndajë seancën.

Këshilltarët

Më herët, kryetarja e grupit të këshilltarëve të LSI-së, Monika Kryemadhi, rikërkoi detajimin e investimeve që do të kryhen gjatë këtij viti, si dhe vënien në prioritet të minibashkive. “Ajo që ne kërkojmë edhe gjatë kësaj mbledhjeje është që hartuesit e këtij buxheti duhet të detajojnë të gjitha investimet që do të kryhen në buxhetin e vitit 2009, si dhe të merren parasysh ndryshimet që ne kërkojmë”. Kryemadhi ka kërkuar rritjen e investimeve për komunitetit, duke bërë një rishpërndarje të fondeve.

Ndërkohë, kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Poni, ka kërkuar detajim të investimeve, që, sipas tij, duhet t’i bashkëngjitet buxhetit. “E gjitha kjo bëhet për një buxhet transparent dhe të konsoliduar”, -shprehet Poni. Debatet më të ashpra kanë qenë mes kryetarit Rama dhe këshilltarit të PD-së, Gent Strazimiri. Ky i fundit i deklaroi se mosdetajimi i investimeve sjell një fshehje të 1.6 miliard lekëve.

Reagimi i kryebashkiakut Rama me anë të një mimike ofenduese, solli një tensionim të mëtejshëm të situatës në seancë. Strazimiri iu drejtua kryebashkiakut, duke i thënë “rrugaç”, çka bëri që mbledhja të degradojë në debate personale.

Rama

Për sheshin “Skënderbej”, ku sipas këshilltarëve të LSI-së janë shpenzuar miliarda lekë, kreu i bashkisë është përgjigjur se “deri më tani nuk janë kryer investime, pasi deri më tani është hapur vetëm fondi për mirëmbajtjen, pasi rindërtimi i plotë i sheshit do të bëhet nga e para në një moment tjetër”. Rama ka reaguar edhe ndaj akuzave të mëparshme se ai ka kërkuar investim dy herë për të njëjtin projekt. Rama ka përmendur një sërë shkollash, ku ai theksoi se buxheti i 2008-s ka dy lloje projektesh, që janë 1-vjeçare dhe 2-vjeçare. Në të parin, sipas tij, janë të përfshira investime, të cilat janë mbyllur sipas parashikimeve dhe projekte dyvjeçare, të cilat vazhdojnë të tërheqin investime për dy vjet.

Ndërsa për sa i përket mungesës së transparencës, Rama është përgjigjur se këshilltarët nuk dinë të lexojnë ose thjesht ata nuk kanë kuptuar asgjë nga projektbuxheti i vitit 2009.

Nëse nuk miratohet buxheti i bashkisë deri më 31 mars, atëherë ligji parashikon shkrirjen e Këshillit Bashkiak dhe zgjedhje të parakohshme për të. Gjatë kësaj periudhe, bashkia mund të përdorë fonde të barabarta me 1 të 12-n e buxhetit të vitit të kaluar.

Pas votimit, kryebashkiaku ka numëruar vetë votat, duke deklaruar se buxheti kaloi, por reagimi i këshilltarëve bëri që votimi të anulohej

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›