SOS: Jetimët, pa asnjë mbështetje
Rrjeti i shërbimeve “SOS” ka bërë dje apel për ndihmesën e fëmijëve jetimë, të cilët detyrohen të jetojnë pa asnjë mbështetje, pas moshës 14-vjeçare. Sipas studimit të paraqitur nga kjo organizatë, jetimët e grupmoshës 14-18 vjeç janë të neglizhuar nga të gjithë, pasi nuk ekziston asnjë masë shtetërore për t’i ndihmuar. Pas moshës 14-vjeçare, ata detyrohen të largohen nga Shtëpitë e Fëmijëve, pa marrë ndihmesë të mëtejshme.
Vetëm fshatrat “SOS” dhe organizata të tjera humanitare, mbajnë fëmijë të grupmoshës 14-18 vjeç, ndërkohë që shteti i subvencionon vetëm qiranë e shtëpisë dhe një jetesë bazike. Sipas rrjetit “SOS”, studimi ka dhënë rezultate të frikshme, pasi jetimët kanë probleme akoma edhe në sigurimin e ushqimeve dhe të veshmbathjeve.
Studimi
Studimi i rrjetit të shërbimeve “SOS” ka nxjerrë në pah një sërë problematikash të fëmijëve jetimë, sidomos pas moshës 14-vjeçare, kur vëmendja shtetërore ndaj kësaj kategorie bie. Sipas studimit të realizuar gjatë muajve të kaluar dhe të bërë publik dje, fëmijët jetimë të grupmoshës 14-18-vjeçare nuk kanë të drejtat themelore, si strehimi, punësimi, shërbimet shëndetësore falas.
Ndërkohë studimi bën të ditur edhe se kjo kategori fëmijësh gjen të vështirë përmbushjen e nevojave bazike, si ushqimi dhe veshmbathjeje dhe janë të detyruar të braktisin shkollën në moshë të herët, për shkak se nuk kanë kushtet e nevojshme për të mbijetuar. Ndonëse Shqipëria e ka miratuar konventën përkatëse që në vitin 1992, jetimët nuk kanë mundësitë bazike. “SOS” ka kërkuar që të krijohen politikat përkatëse shtetërore, për të mbështetur këtë kategori. Ata kërkuan ndihmesën e drejtpërdrejtë ekonomike, ose ngritjen e qendrave që do të mund të plotësojnë kërkesat e kësaj kategorie. Sakaq, rrjeti në fjalë, deklaroi se një shembull për këtë janë vetë fshatrat “SOS”. Aty gjenden rreth 30 fëmijë jetimë të grupmoshës 14-18 vjeç, që marrin ndihmën e kualifikuar.
Jetimët
Legjislacioni shqiptar u siguron jetimëve deri në moshën 14-vjeçare të gjitha mjetet e nevojshme për jetesën. Ata kanë mundësi të jetojnë në shtëpitë e fëmijëve, ose në shtëpi-familje, ku marrin të gjithë trajtimin e nevojshëm dhe kanë edhe një pagesë minimale për shpenzime vetjake, që nuk ka të bëjë me ushqimin, veshmbathjet, strehimin dhe shkollimin. Por, pasi kalon mosha 14-vjeçare, legjislacioni e ka lënë të papërcaktuar përfitimet nga statusi i jetimit. Ata përfitojnë vetëm bonuse qiraje dhe një shumë minimale për të jetuar, ndërkohë që nuk paguajnë një sërë tarifash, si për shembull tarifa e shkollimit. Kjo bën që shumë prej këtyre fëmijëve të nxjerrë jashtë shtëpive, ku jetonin deri në moshën 14-vjeçare të detyrohen të futen në punë, në një moshë që është e ndaluar diçka e tillë, si edhe të braktisin shkollën e mesme.
Niveli i varfërisë
25% më pak nga viti 2005
Niveli i varfërisë është ulur me 25% që nga viti 2005, deklaroi të martën Ministria e Punës, sipas të cilës, ulja e varfërisë dhe rritja e nivelit të jetesës për çdo shtetas, veçanërisht për shtresat e varfra dhe në nevojë, ka qenë dhe mbetet një nga objektivat kryesore të qeverisë. Në reagim të deklaratave të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, se varfëria në vend ka shënuar rritje, zëdhënësja e Ministrisë së Punës, Alma Lahe, theksoi se “edhe pse opozita, në mënyrë abuzive, deklaron se varfëria në vend është rritur, shifrat tregojnë për tjetër realitet”. Sipas saj, gjatë katër viteve të fundit jo vetëm janë miratuar dhe po zbatohen politika mbështetëse për zbutjen e varfërisë, por këto politika po japin rezultate të prekshme. Politikat e hartuara dhe zbatuara nga qeveria, - vijoi ajo, - kanë rritur mbështetjen për shtresat në nevojë, për kategoritë e pensionistëve, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat që trajtohen me pagesë paaftësie, për pagat e ulëta etj. Lahe bëri të ditur se "pensioni mesatar në qytet llogaritet aktualisht 12.000 lekë (nga 8.7 mijë në 2005); pensioni minimal në fshat është 6.000 lekë (nga 3.650 lekë në 2005); të ardhurat aktuale minimale në qytet llogariten 11.200 lekë (nga 8.350 lekë në 2005); paga minimale është rritur me 45% dhe aktualisht është 17.000 lekë, ndërsa paga mesatare është rritur me 44% (nga 28.000 lekë ka shkuar në 42.000 lekë)". Për sa i përket mbështetjes me ndihmë ekonomike të familjeve që jetojnë nën vijën e varfërisë, zëdhënësja e Ministrisë së Punës theksoi se "reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale ka ndikuar drejtpërsëdrejti në reduktimin e varfërisë, falë edhe një identifikimi më të saktë të familjeve dhe individëve në nevojë". Ajo sqaroi se gjatë vitit 2008 trajtohen me ndihmë ekonomike rreth 93 mijë familje, nga 120 mijë në 2005. Nga vlerësimi i nivelit të varfërisë rezulton se gjatë vitit 2008 popullsia nën nivelin e varfërisë ka arritur në rreth 14%, nga 18.7% që ishte në 2005, pra është ulur me 25%. Fondi për Ndihmën Ekonomike është rritur me 34% gjatë 2008, nga 2.6 miliardë në 2007 në 3.5 miliardë dhe për vitin 2009 fondi është 4.2 miliardë lekë. Sipas Lahes, për herë të parë në 18 vitet e demokracisë, në korrik të vitit të kaluar u indeksua pagesa e ndihmës ekonomike me 10%, që do të ndikojë në zbutjen e mëtejshme të varfërisë, ndërsa masa mesatare e ndihmës ekonomike për familjen në vitin 2008 është dyfishuar në krahasim me vitin 2006.
Godo: Vëmendje të veçantë për nënën dhe fëmijën
Qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë sektorit të nënës dhe fëmijës, duke investuar në këtë fushë në infrastrukturë dhe edukimin e vazhdueshëm mjekësor. "Veç vëmendjes së shtetit, duhet dhe imagjinata, pasioni, përkushtimi dhe ndjenja e përgjegjësisë e të gjithë stafit mjekësor për të shtyrë punën në këto institucione", - u shpreh të martën ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave për mami-infermieret nga rrethe të ndryshme të vendit. Për ministren Godo, investimet në infrastrukturën e qendrave që merren me nënën dhe fëmijën kanë sjellë rezultate pozitive dhe sipas saj, "paralelisht, është ecur dhe me trajnimin mjekësor në të gjitha nivelet, personel të lartë dhe të mesëm, i domosdoshëm për rritjen e aktiviteteve". Ministrja Godo falënderoi me këtë rast Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për mbështetjen në problemet e shëndetësisë shqiptare, por dhe të gjithë aktorët e trajnimit të mami-infermiereve. Duke garantuar se MSH do të mbështesë trajnime të tilla në të ardhmen, ministrja Godo tha se "një ndër pikat ku e kemi vëmendjen të përqendruar dhe na rrit sensibilitetin është shëndeti i nënës dhe fëmijës, jo vetëm për atë që përfaqëson kjo fushë për të ardhmen e vendit, por dhe për faktin se kemi shifra mortaliteti foshnjor që nuk na bëjnë të krenohemi para Evropës".