E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush abuzon me energjinë elektrike?

Nga Izet SHEHU
Para dhe pas fushatës së vitit 2005, qeveria demokratike u ra me zhurmë tupanëve premtuese. Kjo qeveri erdhi në pushtet falë rotacionit, qeverisjes së korruptuar të socialistëve dhe premtimit se motoja e saj do të ishte lufta pa kompromis ndaj kënetës korruptive ku e kishte zhytur vendin partia socialiste me institucionet e saj makute.

U caktua një numër për të denoncuar KESH- in, gangrenën e gangrenave në këto vite të tranzicionit. Numri 0 8000 800, gumëzhinte në fillimet e qeverisjes. Madje u caktua një datë fikse dhe një orar për të ballafaquar faturistët dhe konsumatorët. Po a funksionoi ky numër, kjo datë dhe ky afat kohor? Kurrën e kurrës. Mbeti një përrallë e pathënë. Faturistët dhe faturistet sillen si hije rreth bokseve të matësve. Askush nuk i sheh. Madje as atë elektricistin e zonës që i ndihmuar nga ndonjë abuzues i pallatit, ta lëviz sahatin sa herë që tia ketë qejfi. Banori e sheh hijen abuzuese dhe e pyet: - Po ju, cilët jeni?
Jemi diç, mërmëritin nëpër dhëmbë dhe zhduken drejt një kutie tjetër matësish në pallatin më tej. Kur i ankohesh faturistes, ajo ta pret: - Pse si filmove? Na gjeti belaja me këta të KESH- it.
Leximi i matësit nga faturistja pa prezencën e konsumatorit, lëviz nga data 1 gjer në datën 30. Kjo ecje nëpër data i jep hapësirë faturistes që të abuzojë. Pse? Për 300 kw/h paguhet gjer me 7 lekë, për një kw/h dhe me mbi 300 kw/h paguhet 12 lekë për një kw/h.  Kjo është një nga format më të ndyra ku abuzohet me konsumatorët e energjisë. Pra, elektricisti i shoqëruar nga fqinji yt ose imi, vegla e tij, (ky i fundit paguan minimumin e minimumit)! Bëj kujdes dhe lexoja faturat e energjisë fqinjit! Në faturën e tij shënohet pak. Hija e elektricistit, që i paraprinë hijes së faturistes, duke  vënë dorë mbi matësit, përbën një kërcënim të hapur për rrjepjen e konsumatorit të ndershëm. Ku e gjejnë fuqinë këto hije? Me patjetër tek shefat e tyre më lartë. Gati në të gjitha qeveritë është premtuar dhe është abuzuar me energjinë. Nëse shteti nuk ka forcë për të mbrojtur energjinë nga abuzuesit, ska pse me çdo kusht kërkon ta nxjerrë humbjen mbi shpinën e qytetarit të ndershëm. Jam i mendimit se KESH i ka vite që rrjep e rrjep pa mëshirë qytetarët e ndershëm. Në një tubim në qytetin e Durrësit, drejtuesi i KESH- it, Zoti Sahit Dollapi deklaroi se: Kush nuk paguan do ti pritet energjia. Pra, kush e vjedh atë duhet që të dënohet. Bukur fort. Po kur punonjësit e KESH- it rrjepin konsumatorin, cili duhet që të dënohet? Nuk vjedhin të ndershmit, të urtët, por të fortët, të lidhurit me hijet  abuziviste të KESH- it. Në faturën e shitjes së energjive elektrike për abonentët familjarë shkruhet: Paguajeni me kohë faturën e energjisë elektrike dhe kursejeni atë! Afati i pagesës nga data 2 e muajit pasardhës deri në fund të tij. Mospagesa në afat, shoqërohet me penalitete të miratuara: 0.5% për çdo ditë vonesë, OSSH- ja me të drejtë e bën këtë thirrje. Po a e di ky institucion se me matësit e vendosur në hyrje të shkallëve abuzojnë pa skrupull hijet e tij: faturistët të paraprirë nga elektricisti dhe ndonjë vegël që vihet në shërbimin e tyre vetëm e vetëm që të paguajë për vete minimumin e minimumit? Ç'e bukur OSSH? Ta shet mallin me kandarin që e mban në errësirë. Këtu gjen vend shprehja popullore: Aksham pazar, hajdut në kandar. Për mendimin tim, me qëllim abuzivist është hartuar edhe pagesa e ndarë me dy kategori: gjer me 300 kw/h me 7 lekë për kw/h, ndërsa mbi 300 kw/h me 12 lekë për kwh, plus këtu edhe TVSH me 20%. OSSH- ja dhe hijet e saj mendojnë vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Së fundi, po jua ilustroj me një shembull: Në rrugën Zef Jubani një hije lëviz matësit. Bokset nuk duhen hapur kurrsesi pa prezencën e konsumatorëve. Por shpesh një hije e bën këtë në errësirë. Rastësisht u ndesha në datën 8 janar 2009 tek boksi i pallatit tim me dy hije: elektricistin dhe faturisten. Ai, fqinji vegël, i vënë në  shërbimin e tyre, duket e zhduket si hije e hijeve. Merr edhe ai i gjorë një kockë nga kjo lëvizje rrjepëse. Të zënë galif, para boksit, zgurdullojnë sytë. Lexoj në sahatin tim: 34446. I befasuar, u them se kam në dorë faturën e datës 30 dhjetor 2008 ku lexohet: 34783. Si ka mundësi u them? Ata heshtën. Pra kam avancë 337 kw/h. Kur erdhën më 21 janar 2009 përsëri si hije, shoh sahatin: një dorë misterioze e kishte lëvizur. - Se ke lexuar mirë atë ditë, - të thotë me zë të shtirë faturistja. Kjo është OSSH- ja dhe lakuriqët e saj të errësirës. Punojnë për të rrjepur qytetarët dhe jo për t'u shërbyer atyre. A dilet në dritë me hije të tilla?

Last Updated on Wednesday, 04 February 2009 17:34

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›