Berisha inauguron shkollën profesionale në Kamëz: Në krye të 4 viteve rroga e arsimtarëve do jetë mbi 700 dollarë
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e shkollës profesionale në Kamëz. Duke e trajtuar si një nga prioritet e qeverisë, kreu i mazhorancës garantoi se dhe në mandatin e ardhshëm, ky profilizim do të vijojë të jetë një nga objektivat më madhorë. Në fjalën e tij, Kryeministri listoi premtimet për arsimin si përparësia e përparësive, ku veçoi
Rritje të rrogave mbi 700 dollarë, mësim dixhital në çdo klasë, standarde të larta të përdorimit të teknologjisë digjitale në shkolla dhe bibliotekë virtuale dhe reale.
“Arsimi është përparësia e të gjitha përparësive. Ne kemi bërë përpjekje të mëdha që ta vendosim arsimin si përparësinë tonë më kryesore, të bindur që ky është kushti që shqiptarët të kenë të ardhmen që meritojnë. Ndaj dhe në një hark kohor të shkurtër kemi rritur rrogat e arsimtarëve në 120 përqind dhe jam këtu për të premtuar se gjatë 4 vitet që vijnë rroga do të njohin rritje 2-3 herë më të madhe sesa indeksi i çmimeve dhe në krye të 4 viteve rroga do të jetë mbi 700 dollarë dhe mësuesit do të paguhen më mirë se disa vende anëtare të BE”, vuri në dukje Berisha.
Godina e re, financim në kuadër të projektit IPA, të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare me vlerë rreth 1 milion e 100 mijë euro, është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 3400 m2, e standardeve europiane me rreth 24 klasa, laboratorë të kimisë, fizikës, biologjisë, IT-së, laboratorëve të specialitetit dhe palestër.
Shkolla ofron 9 drejtime kryesore:
Teknologji Informacioni dhe Komunikimi;
Hoteleri - Turizëm;
Shërbime Mjete Transporti;
Bujqësi;
Shërbime Sociale dhe Shëndetësore;
Teknologji ushqimore;
Ekonomi biznes;
Administrim zyre;
Ekonomi bujqësore.