Berisha injoron shifrat e ndotjes
Ndotja e ajrit në Tiranë është 10 herë mbi normat e lejuara, uji është i ndotur në 5 qytete dhe zhurmat mjaft problematike. Këto të dhëna i ka publikuar Instituti i Shëndetit Publik në fillim të vitit 2008. Por, këto të dhëna, duket se janë të pamjaftueshme për Kryeministrin Sali Berisha, i cili në ditën botërore të mjedisit vlerëson punën e bërë nga Ministria e Mjedisit dhe strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e ambientit. "Ne jemi një vend ku falë përpjekjeve tona dhe një kompleksi rrethanash kuptohemi në një pozicionim të lakmueshëm nga shumë vende të tjera përsa i përket mbrojtjes së mjedisit në tërësi", u shpreh Kryeministri. Ndërkohë të dhënat më të fundit të ISHP-së tregojnë se "në Tiranë grimcat e imta (PM10) janë në norma shumë të larta. Ato janë shumë të dëmshme dhe monitorimet e herëpashershme tregojnë se nuk ka asnjë shenjë të pakësimit të tyre në ajër". Kështu shkruhet në raportin e ISHP-së për vitin 2007, që u publikua në ditët e para të 2008-ës. Pika shumë të ndotura të ajrit janë zona si "Zogu i Zi", zona tek Liceu Artistik dhe plot territore të tjera. Ndërkohë, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shpjegojnë se kjo shifër është marramendëse dhe padyshim shqetësuese, pasi duke ditur se normat e BE-së janë 50 mg/m3, në Tiranë ato arrijnë deri në shifrat e 395 mg/m3. Mes shkaktarëve kryesorë të ndotjes, sidomos të ajrit në kryeqytet, konsiderohen makinat. Numri i tyre sa vjen dhe rritet, ndërkohë që edhe cilësia e karburanteve që ato djegin lë shumë për të dëshiruar. Shkak tjetër që ndikon në rritjen e nivelit të ndotjes, sipas specialistëve të mjedisit, janë punimet në rrugë dhe ndërtimet.