E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mikael Balak, me sytë nga e ardhmja që vetëm triumfon

Mikael Balak e ka hedhur pas shpine zhgënjimin e Ligës së Kampioneve dhe tashmë sheh nga e ardhmja. Pas një periudhe të vogël pauze, tashmë kapiteni i Gjermanisë është përqendruar tek Euro 2008: synimi është që t‘i jepet fund paraqitjeve zhgënjyese në fazat finale të aktivitetit më të rëndësishëm për ekipet përfaqësuese në kontinent. Edhe pse duket e pabesueshme, vendi që numëron më shumë triumfe në Kampionatin Evropian: gjermanët e kanë fituar turneun në vitet 1972, 1980 dhe 1996 (Franca renditet pas tyre me dy suksese), nuk kanë fituar asnjë ndeshje në fazën finale, që prej suksesit të përpara 12 viteve në "Uembli" përballë Republikës Çeke. Në Euro 2000, në Belgjikë dhe Holandë, gjermanët morën vetëm 1 pikë në Grupin A, pas barazimit 1-1 me Rumaninë në ndeshjen e parë. Në të dyja përballjet e tjera me Anglinë dhe Portugalinë, ata humbën me rezultatet 1-0 dhe 3-0. Zhgënjimet vazhduan edhe në Euro 2004, të zhvilluara në Portugali: Gjermania, ashtu si Italia dhe Spanja, u eliminua në fazën e grupeve. Dy pikët e marra nga barazimet 1-1 me Holandën dhe 0-0 me Letoninë, nuk mjaftonin për t‘u renditur në dy vendet e para të Grupit D, ndërkohë që goditja fatale erdhi pas humbjes 1-2 në takimin e fundit me Republikën Çeke.

Kjo është arsyeja se përse Balak mendon se për skuadrën e drejtuar nga Hoakim Lëv, përballja e parë në Euro 2008 kundër Polonisë është tejet e rëndësishme. Takimi luhet të dielën në Klagenfurt dhe objektivi i Gjermanisë është të debutojnë me fitore (jo si në Euro 2000 dhe 2004 kur e nisën kompeticionin me barazime). "Ndeshja e parë është gjithmonë shumë e rëndësishme", tha mesfushori i Çelsit. "E dimë që jemi në gjendje të mirë fizike dhe dëshirojmë të marrim një rezultat të mirë, në mënyrë që të fitojmë besim për ndeshjet e tjera në grup dhe për pjesën tjetër të turneut. Për këtë arsye them që fillimi i mbarë është shumë i rëndësishëm". Një fitore kundër fqinjëve të tyre do të konfirmonte forcën e Gjermanisë pas Botërorit 2006, aktivitet ku ata u renditën të tretët. Balak beson se përfshirja mes favoritëve e kombëtares ku mban shiritin e kapitenit është e justifikuar. "Kemi një skuadër të mirë", tha 31-vjeçari. "Në Euro 2008 ka edhe shumë skuadra të tjera të mëdha, të cilat synojnë ta fitojnë titullin, megjithatë ne nuk duhet të qëndrojmë të fshehur. Gjatë Kupës së Botës e treguam forcën tonë. Gjithsesi, mendoj se nuk do ta kemi të lehtë, pasi në Evropian rivalët janë thuajse në të njëjtat nivele. Vetëm fusha do ta tregojë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë". Me një kalendar të ngjeshur, forma fizike e lojtarëve më të mirë është "çelësi" i suksesit. Paraqitjet e jashtëzakonshme të Balak te Çelsi tregojnë se ai është gati të dominojë sërish arenën ndërkombëtare.

Sezoni

Së bashku me Çelsin, gjatë sezonit të kaluar, Balak i humbi duelet me Mançester Junajted në Premiership dhe Champions. 31-vjeçari tha: "I përkasin së kaluarës"

Polemika

Polakët "flijojnë" Lëv e Balak

"Leo, na sillni kokat e tyre"

Pak orë përpara ndeshjes së Grupit B, ku Gjermania luan me Poloninë, dy vendet janë përfshirë nga tensioni. Gazeta polake "Super Express" ka nxjerrë një fotografi ku trajneri Leo Benhaker mbante në duar kokat e prera të kapitenit të Gjermanisë, Mikael Balak dhe të trajnerit Hoakim Lëv. Përpara sfidës së të dielës në Klagenfurt, drejtuesit të stolit të Polonisë i është kërkuar: "Na sill kokat e tyre". UEFA, nga ana e saj, ka tentuar të mbyllë çështjen në mënyrë diplomatike. Një zëdhënës deklaroi: "Jemi në dijeni të fotografisë. Natyrisht që ajo që ka ndodhur është e papërshtatshme, pasi njerëzit duhet të flasin rreth futbollit. Ekziston një rivalitet i shëndoshë, por për çdo gjë duhet të ketë një limit. Besojmë se skuadrat do të flasin vetë në fushë dhe nuk është e nevojshme që të ndodhin episode të tilla". Nga ana e tij, Benhaker është tronditur nga fotografia dhe tha për gazetën "Bild": "Është e papranueshme. Kjo tregoi se kudo në botë ekzistojnë njerëz të sëmurë. Personalisht, distancohem në mënyrën më absolute nga kjo që ndodhi". Kritika të forta kundër gazetës "Super Express" erdhën edhe nga Bundestagu, Parlamenti Gjerman. Piter Dankert, presidenti i Komisionit Sportiv të Bundestagut tha: "Fotomontazhi është një skandal i vërtetë. Shpresojmë që qeveria polake të reagojë në mënyrën e përshtatshme".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›