E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet konkursi për në universitetet italiane

Është çelur aplikimi për në universitetet italiane. Të rinjtë që kanë mbaruar shkollën e mesme, ose janë në vit të katërt të maturës duhet të regjistrohen në konkurs më datat 10-25 qershor, pranë konsullatave në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Por, paraprakisht duhet të tërheqin dy formularët bashkë me informacionin plotësues që gjenden pranë këtyre zyrave. Ambasada Italiane në një informacion për gazetën "Shqip" bën të ditur se "për regjistrimin në universitetet italiane është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane CELI 3. Përjashtohen nga ky rregull studentët shqiptarë të seksioneve dygjuhëshe italo-shqiptare". Në ndryshim nga vitet e tjera, maturantët duhet të zgjedhin vetëm një degë studimi, e cila është e pamundur të ndryshohet më vonë. Ndaj të gjithë të rinjtë duhet të konsultohen në faqen e internetit, http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/

para se të plotësojnë formularin e aplikimit.

Në këtë website gjenden kuotat e lira të universiteteve italiane për vitin akademik 2008-2009 për studentët e vendeve ekstrakomunitare, ku bën pjesë edhe vendi ynë.
Ambasada bën të ditur se ky është regjistrimi paraprak, por studentët duhet të jenë shumë rigorozë në zbatimin e datës së paraqitjes. "Formularët e plotësuar, bashkë me dokumentacionin zyrtar, duhet të dorëzohen personalisht pranë kancelarive konsullore sipas një kalendari të caktuar, i cili gjendet në dosjen që kandidati tërheq pranë sporteleve konsullore. Kalendari është sipas grupeve të universiteteve. Kështu më datën 10 qershor duhet të paraqiten në konsullatë studentët që aplikojnë në universitetet: Ankona, Bergamo, Pavia, etj.

Dokumentet

Në ditën e paraqitjes në konsullatë, kandidatët për studentë duhet të dorëzojnë zarfin që përmban dokumentet e mëposhtme:

Kërkesa për regjistrimin paraprak (Modeli A), plotësuar në çdo pjesë të tij, në origjinal (përpara dhe prapa). Pas plotësimit duhet t‘i bëni edhe dy fotokopje të panoterizuara, por të plota të të dyja faqeve. Vetëm një degë keni të drejtë të përzgjidhni dhe ta shkruani në formular. Kjo nuk mund të ndryshohet më. Dokumenti i dytë është Formulari i Autentikimit të Fotografisë, i plotësuar me të gjitha të dhënat personale anagrafike në origjinal, duke konsultuar saktësisht pasaportën. Pas plotësimit, edhe këtij formulari duhet t‘i bëni dy fotokopje të panoterizuara, por të qarta. Dokumenti i tretë është Dëftesa e Pjekurisë. Studentët që kanë humbur dëftesën origjinale mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Ndërsa ata që janë maturantë dhe do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë në verë të këtij viti, do të paraqesin një vërtetim notash, që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para, si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për të dorëzuar Dëftesën e Pjekurisë në origjinal pranë ambasadës, sapo ta marrin atë, së bashku me certifikatën e Maturës Shtetërore. Ambasada Italiane saktëson se diploma e shkollës së mesme ose vërtetimi i notave duhet të jetë i përkthyer në italisht, e vërtetuar nga noteri dhe e legalizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ndërsa firma e drejtorit të shkollës që i ka lëshuar, duhet të vërtetohet nga drejtori arsimor i rrethit përkatës dhe firma e këtij të fundit të vërtetohet nga funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme. Për maturantët që ende nuk kanë Dëftesën e Pjekurisë duhen dy fotokopje të formularit A1 të lëndëve me zgjedhje.

Gjithashtu, edhe dy fotokopje të certifikatës së njohjes së gjuhës italiane, (CELI 3), të lëshuar nga institucionet e autorizuara nga Ministria e Arsimit Italiane. Dokumentet e fundit të dosjes së aplikimit janë fotokopje e pasaportës, faqja ku ndodhet fotografia dhe dy fotografi me ngjyra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›