E Shtunë, 31 Tetor 2026

OECD moderon pesimizmin: kriza drejt fundit?

Pas shumë lajmeve e komenteve pesimiste mbi krizën financiare globale, mbi pasojat dhe efektet negative të saj në ekonomitë dhe tregjet financiare kryesore të botës, më në fund vjen një sinjal shprese. Në raportin e saj të fundit, titulluar "Perspektivat ekonomike-pas furtunës", OECD, organizata që grupon 32 vendet më të zhvilluara e më të industrializuara të botës, jep një lajm të shumëpritur. Sipas saj, "situata ekonomiko-financiare e vendeve anëtare të saj është më pak pesimiste se ajo e dy-tri muajve më parë".

Ekzistojnë mjaft elementë për të filluar të mendohet se "kriza e lindur në verën e vitit 2007 në SHBA, si pasojë e fundosjes së sektorit imobiliar dhe kredive të këqija hipotekore me risk të lartë, të famshmet ‘subprimes‘, dhe e përhapur pastaj në Evropë dhe vende të tjera të botës", ka filluar të zbutet. Sipas drejtorit të çështjeve ekonomike të OCDE-së, Jorgen Elmeskov, "aktualisht ka shumë shanse që mjaft nga simptomat negative të çorientimit të tregjeve të vlerësohen si të tejkaluara". Edhe vetë fraza e parë e raportit të OECD-së e konfirmon këtë situatë optimiste kur konfirmon se "gjithnjë e më tepër po duket se turbulenca e tregjeve financiare ka filluar të qetësohet", megjithëse një pjesë e faktorëve të rrezikut vazhdojnë të jenë prezentë në ekonominë botërore. Në mënyrë të veçantë çmimi i produkteve ushqimore, naftës dhe energjisë në tërësi. Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet, u shpreh "se kjo krizë është globale dhe të tilla duhet të jenë edhe masat për ta përballuar atë".

Për ekonomitë kryesore të botës, treguesit ekonomikë të tremujorit të parë nuk janë aq të zymtë sa priteshin. SHBA jo vetëm që nuk hyri në recesion, ashtu siç parashikohej nga shumë ekspertë, por madje arriti të reduktonte edhe deficitin e bilancit të pagesave. Shifra më inkurajuese është ajo e sektorit privat amerikan, që vetëm gjatë muajit maj 2008 krijoi 40 mijë vende të reja pune.

Ekonomia gjermane po jep shenja të mira të përballimit të krizës, ndërkohë që ekonomia franceze po tregon një rezistencë të admirueshme muajt e fundit, çka dëshmon për një qëndrueshmëri strukturore të saj ndaj situatave të krizës. Megjithatë, OECD-ja tregohet e matur në optimizmin e saj kur vlerëson se "viti 2008 pritet të jetë gjithsesi një vit mediokër" porsa i përket rritjes ekonomike. Duke parashikuar një nivel rritjeje ekonomike prej 0.5% për tremujorin e dytë, OECD-ja nënvizon se në vendet anëtare të saj, rritja ekonomike për 2008 nuk pritet të kalojë nivelin vjetor prej 1.8%.

SHBA do të vazhdojnë të jenë edhe për një kohë relativisht të gjatë të shokuara nga tronditja e sektorit financiar dhe dollarit me gjithë shenjat pozitive që po jep normalizimi i kushteve të kreditit dhe politika monetare zbutëse; në përgjithësi vendet e BE-së do të vazhdojnë të ndjejnë efektin e politikës rigoroze me kreditin, reduktimin e disa tregjeve të rëndësishme eksportesh dhe presioneve inflacioniste aktuale; Britania e Madhe vazhdon të ndjejë kundërgoditjet e vështirësive të saj financiare, Islanda ndodhet nën presionin e një krize këmbimi, Spanja dhe Irlanda po përballojnë një shfryrje brutale të flluskës së tyre imobiliare, Kanadaja dhe Meksika po ndjejnë "ftohtësinë e thikës financiare amerikane"; Italia "vegjeton" në një rritje ekonomike afër zeros, Greqia po reflekton një deficit buxhetor dhe nivel inflacioni mbi mesataren evropiane të zonës euro, çka po ndikon negativisht në aftësinë konkurruese të mallrave dhe shërbimeve greke; Turqia gjithashtu po evidenton shenja të një ngadalësimi të ritmit të rritjes ekonomike dhe moskonsistencë në reformat strukturore; Japonia duket më pak e prekur nga kriza aktuale, por megjithatë ekonomia e saj duket se po vuan uljen e ritmit të eksporteve, hezitimin e shumë bizneseve vendase për të investuar dhe uljen e fuqisë blerëse të familjeve japoneze; madje edhe vende si Kina dhe India që mendohej se do ta ruanin dinamikën e rritjes ekonomike po shfaqin shenja ngadalësimi dhe po i modifikojnë objektivat e tyre të rritjes për këtë vit. Makineria ekonomike e këtyre 32 vendeve pritet të fillojë një ngritje të lehtë vetëm në vitin 2009.

Raporti i OECD-së e shpjegon qartë se pamundësia e daljes më shpejtë se viti 2009 nga kriza është e lidhur me faktin se "ekonomitë e OECD-së gjenden aktualisht të konfrontuara me tre probleme negative, që si efekt kryesor kanë reduktimin e kërkesës: krizën financiare, ngadalësimin e ciklit të pasurive të patundshme dhe tkurrjen e të ardhurave reale si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe produkteve agroushqimore".

Më pak alarmante se FMN-ja, OECD vlerëson se humbjet financiare së bashku me zhvlerësimin e aktiveve bankare mund të arrijnë një nivel prej 380 miliardë dollarësh (246 miliardë euro) dhe jo rreth 950 miliardë siç kanë qenë parashikimet e FMN-së dhe mjaft institucioneve të tjera ndërkombëtare për këtë çështje. Ndërsa porsa i përket çmimeve në tregun amerikan të banesave, OECD parashikon se ai do të vazhdojë akoma të ulet me rreth 8% gjatë vitit 2008.

Shqetësimi kryesor i OECD-së në këtë fazë është i përqendruar tek inflacioni dhe masat e mundshme që mund të merren për zbutjen e efekteve të tij nga qeveri e vende të ndryshme. Si pasojë e fenomenit të globalizimit dhe tregjeve botërore, politikave ekonomike e financiare të ndërmarra nga vendet jashtë OECD-së, presionet inflacioniste po shfaqin një tendencë rritjeje në pothuajse të gjitha vendet e OECD-së. Rritja e pandalshme dhe shumë e shpeshtë e çmimit të naftës që tashmë ka arritur dhe nivelin e paimagjinueshëm disa muaj më parë, atë të 130 USD/baril, rritja e çmimit të arit dhe metaleve të tjera të çmuara, rritja e çmimit të drithërave, misrit dhe orizit, etj., kanë bërë që rritja e përgjithshme e çmimeve në zonën OECD për vitin 2008 të parashikohet në shifrat 3%, ndërkohë që në 2007 kjo ishte vetëm 2.2%.

Sipas Jean-Luc Schneider të Drejtorisë së Çështjeve Ekonomike të OECD-së, "trajektorja e inflacionit që ne kemi llogaritur tregon për një rritje të moderuar të tij, çka do të thotë se në mungesë të inflacionit të importuar, ne mund të shpresojmë edhe në një ulje relative të tij". Por, ajo që na shqetëson është fakti se "n.q.s për momentin në vendet tona konstatohet një rritje pagash në përgjigje të përballimit të efekteve të inflacionit, kjo mund të na i komprometojë përpjekjet për t‘u rikthyer në një nivel inflacioni prej 2.1% për vitin 2009". OECD-ja u bën thirrje autoriteteve publike në vendet anëtare të saj "që t‘i rezistojnë sa më shumë që të jetë e mundur kërkesave për masa kompensuese direkte ndaj efekteve të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve". Ajo rekomandon që këto masa të jenë të kujdesshme e të diferencuara kryesisht në funksion të grupeve sociale, degëve të ekonomisë apo territoreve më të prekura nga kjo rritje çmimesh dhe jo një reagim në bllok e në mënyrë lineare. Jorgen Elmeskov për këtë çështje thekson se "është më mirë t‘u përgjigjemi direkt vetëm personave me të ardhura të pakta, që u cenohet niveli i jetesës, duke aplikuar instrumentet e transfertave fiskale dhe sociale".

Por, në raportin e saj të fundit, OECD nënvizon në mënyrë shumë të dukshme faktin se "nëse efektet e krizës aktuale, apo kësaj furtune të paparashikuar, nuk rezultojnë aq të rënda sa mendoheshin, kjo ka ndodhur falë reformave të vazhdueshme strukturore që vendet anëtare kanë ndërmarrë vazhdimisht e me konsistencë, si dhe falë politikave makroekonomike perfekte. Ekonomia botërore është në ndryshim të vazhdueshëm dhe dalja në skenë e vendeve me zhvillim të shpejtë, apo siç quhen ndryshe "ekonomitë emergjente", po i ndryshon rregullat e lojës. Kjo kërkon para së gjithash reforma të vazhdueshme strukturore sa më efektive. Rekomandimi dhe këshilla kryesore është "vazhdimi në këtë rrugë" edhe për të ardhmen. Ky rekomandim jepet dhe për ekonomitë e shumë vendeve në zhvillim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›