Gjykata e Lartë kundër qeverisë:, rrëzon vendimin për shamitë e kokës
Gjykata e Lartë e Turqisë ka bllokuar lëvizjen e qeverisë për të lejuar studentet e shkollave të mesme dhe të larta të vendit që të shkojnë në shkollë të mbuluara me shamitë myslimane. Gjykata u shpreh se vota e Parlamentit për të bërë një ndryshim të tillë shumë të rëndësishëm dhe të debatuar njëherazi, ishte një dhunim i Kushtetutës së vendit, e cila sanksionon laicitetin e Turqisë. Nga ana e saj, qeveria e ka argumentuar kërkesën me faktin se moslejimi i shamive në shkolla mund të çojë në lënien e shkollës nga shumë vajza myslimane, të cilat nuk mund ta heqin shaminë për shkak të detyrimit fetar. Ndërkohë, pjesa më e madhe e qeveritarëve shekullarë janë shprehur kundër një vendimi të tillë që në njëfarë mënyrë ishte shumë fetar dhe përbënte një shkelje të qartë të Kushtetutës. Vendimi i Gjykatës së Lartë është komentuar me shumë entuziazëm dhe si një vendim historik nga ana e një pjese të politikanëve vendas, ndërkohë që partia në pushtet që e kërkoi adaptimin e Kushtetutës në këtë pikë, ka deklaruar se gjykata i ka tejkaluar kompetencat e saj në këtë rast. Ndalimi i përdorimit të shamisë në ambientet e shkollave dhe ato akademike në Turqi konsiderohet nga disa si guri i themelit të një shteti laik, një simbol i përjashtimit të islamit nga aktivitetet shtetërore. Qeveritarët shekullarë, në të cilët bën pjesë edhe ushtria, gjykata dhe universitetet, iu kundërvunë kërkesës së qeveritarëve islamikë, që aktualisht ndodhen në fuqi. Partia në fuqi, e cila fitoi një vit më parë zgjedhjet e përgjithshme, argumentoi veprimin e saj me faktin se një gjë e tillë kishte të bënte me lirinë e veprimit dhe jo me influencën fetare.