E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët shqiptarë, specializime në Francë

Mjekët shqiptarë, sipas marrëveshjeve dhe bashkëpunimit të shtetit shqiptar me atë francez, mund të kryejnë specializime edhe në spitalet e Francës. Lajmi është konfirmuar nga Ministra e Shëndetësisë. Ministri Nard Ndoka zhvilloi dje një takim pune me Maryse Daviet, ambasadore e Francës në vendin tonë. Në takim janë diskutuar projektet, synimet dhe kahet e zhvillimit të këtij bashkëpunimi që pritet të avancojë dhe të modernizojë sistemin shëndetësor në Shqipëri. Ambasadorja Daviet theksoi veçanërisht se pjesa e bashkëpunimit konsiston në fushën e specializimeve për mjekët shqiptarë. Daviet përmendi në këtë kuadër edhe bashkëpunimin midis spitaleve rajonale të Korçës, Elbasanit dhe spitalin në Bajram Curri me spitalet në Francë. Një ndihmë konkrete po i ofrohet edhe Qendrës së Transfuzionit të Gjakut me asistencë teknike nëpërmjet mjekëve francezë. "Mbas ngjarjes së Gërdecit, Komisioni Evropian po çel fonde për kurimin e pacientëve të prekur nga kjo tragjedi dhe Ambasada Franceze në Tiranë po përpiqet të përdorë disa nga këto fonde kryesisht për trajtimin e pacientëve që kanë pësuar djegie", tha ambasadorja. Përveç ndihmës për rehabilitimin dhe pajisjet në spitalet rajonale në Korçë dhe Elbasan, ministri Ndoka përmendi dhe aktivitetin korrekt të disa kompanive farmaceutike franceze në Shqipëri. Një kontribut i veçantë është Asistenca Publike e Parisit, që ka dhënë për realizimin e masterplanit për QSUT-në. Një kontribut tjetër është ndërtimi i spitalit të specialiteteve të ORL-së, të spitalit "Bernard Kushner" në QSUT.

Në fund të vitit 2007, në kuadër të binjakëzimit të Spitalit Rajonal të Korçës me Spitalin Belford - Monpelie janë përuruar dhe funksionojnë kabinetet e Celioskopisë në spitalin e Korçës dhe të Elbasanit. Ministri Ndoka propozoi lidhjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi midis dy Ministrive të Shëndetësisë, si një hap drejt institucionalizimit dhe formalizimit të bashkëpunimit të deritanishëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›