E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inspekton punimet për ndërtimin e disa rrugëve në Berat

TIRANE - Kryeministri Berisha inspektoi të martën pasdite punimet për rikonstruksionin e rrugës Fiershegan-Kozare, me gjatësi 18,2 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë 792 milion lekë, si dhe punimet e rrugës Lushnjë-Berat, me gjatësi 27 km. 

Kryeministri Berisha ishte në Urën Vajgurore, për të inauguruar fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Ura Vajgurore-Pashalli-Bistrovicë, me gjatësi 13.9 kilometra dhe vlerë 428 milionë lekë. Deri më tani është përfunduar pjesa e parë Mbreshtan-Sinjë, me gjatësi 10.5 km dhe do të ndërtohen 12 kilometra që e lidhin këtë rrugë me Aranitasin.

Rruga e re do të lidhë fshatrat Pashalli, Skrevan, Vokopolë, Bistrovicë dhe Mbieshove të Bashkisë Ura Vajgurore dhe të komunës Sinjë me Urën Vajgurore, brenda 1 viti. 

Fillimisht, Kryeministri Berisha inspektoi punimet për rikonstruksionin e rrugës Fiershegan-Kozare, me gjatësi 18,2 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë 792 milionë lekë. Rruga do të lidhë 3 qarqe, të Fierit me Beratin dhe Elbasanin, nga ku do të përfitojnë 17 mijë banorë të komunave Kozare dhe Fiershegan, në rrethet e Beratit dhe të Lushnjës.

Në vijim, Kryeministri inspektoi punimet e rrugës Lushnjë-Berat, me gjatësi 27 km, për të cilën deri tani janë kryer 70 % e punimeve. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, si dhe në kontekstin e aktualitetit politik, Kryeministri komentoi pas këtyre inspektimeve se "ne kemi dy lista, listën e kandidatëve më të shkëlqyer dhe listën e veprave. Pra në këtë garë elektorale ne garojmë, së pari me kandidatët më të mirë, por me shumë se me çdo gjë tjetër flasim me vepra dhe më pak me fjalë. E tërë kjo rrugë, për të cilën qytetarët e Beratit kanë shumë të drejtë dhe e presin me padurim ndërtimin e saj, ne po e bëjmë realitet. Sikundër, ne po ecim me Boshtin e Jugut, nga Belshi në drejtim të Beratit, ndërsa kundërshtari, çdo fjalë mund të shqipërojë në Berat, përveç fjalës Boshti i Jugut. Ai është i betuar që të mos ndërtojë rrugë. Meqenëse ne po ndërtojmë rrugë, ai vrapon për të gjetur gropa, këtu apo atje". 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›