“Deutsche Telekom” blen aksionet e OTE-së në Greqi
Gjiganti gjerman “Deutsche Telekom AG” deklaroi se synon të marrë kontrollin e menaxhimit në shoqërinë greke të telekomunikacioneve OTE, pasi arriti të blejë 20 për qind të aksioneve të saj për një vlerë prej 2.5 miliardë eurosh. Lajmin e ka bërë të ditur prestigjiozja amerikane "Wall Street Journal". Grupi grek Hellenic Telecommunications Organization SA, ose OTE, siç njihet ndryshe, është kompania që zotëron paketën dërrmuese të aksioneve të shoqërisë shqiptare AMC. Deutche Telekom deklaroi se shumë shpejt do të nisë zyrtarisht bisedimet me qeverinë greke, që është njëkohësisht edhe aksioneri më i madh i shoqërisë për grupin OTE, për të rritur më tej paketën e saj të aksioneve. Por gjiganti gjerman deklaroi se nëse nuk do të arrijë ndonjë marrëveshje me qeverinë greke, atëherë ai do të tërhiqet dhe nuk do të bëjë asnjë ofertë për shoqërinë OTE. “"Deutsche Telekom” synon të konsolidojë totalisht rezultatet financiare të OTE-s duke filluar që nga 2009-a për të rritur më tej fitimet e shoqërisë", - u shpreh njëri nga drejtuesit e gjigantit gjerman. Qeveria greke zotëron rreth 28 për qind të aksioneve të shoqërisë OTE dhe po shkon drejt reduktimit të paketës së saj. OTE SA zotëron rreth 98.6 për qind të aksioneve të grupit Cosmote. Ky i fundit, nga ana e tij, zotëron afro 85 për qind të aksioneve të shoqërisë shqiptare AMC. Kjo do të thotë se tashmë “Deutsche Telekom” është një nga aksionerët kryesorë të AMC-së dhe në rast se do të realizonte ndonjë marrëveshje tjetër me qeverinë greke, atëherë do të kthehej në aksionerin kryesor të AMC-së, gjithmonë përmes kompanisë Cosmote. Analistët ndërkombëtarë e kanë konsideruar këtë lëvizje të gjigantit gjerman si një marrëveshje me leverdi për shkak se përmes OTE-s ajo do të ketë mundësi të jetë prezente pothuajse në të gjitha vendet e Europës Juglindore.
20 Mars 2008