E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i 102 jostrategjikëve, pronarët kërkojnë pjesën e tyre

Gati për privatizim 70 objektet e para shtetërore. Rreth 227 kërkesa për trojet ku ndodhen objektet shtetërore
Ervin Koçi

Pronarët e tokave të objekteve shtetërore që janë gati për t’u privatizuar kërkojnë nga shteti që të bëhen patjetër pjesë në proceset e privatizimeve me letra me vlerë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur urdhrat për privatizimin e 102 objekteve shtetërore mbi kërkesat e ish-pronarëve në trojet e të cilëve ka objekte shtetërore jostrategjike. Burime zyrtare të METE-s bëjnë të ditur se gjatë vitit 2007 u paraqitën 227 kërkesa nga ish-pronarët, mbi trojet e të cilëve ndodhen objekte shtetërore ende të paprivatizuara. Prej tyre, përveç 102 urdhrave të dala nga ministri i METE-s janë gati për privatizim 70 objekte shtetërore, që do të kryhen nga agjencia e privatizimit në Ministrinë e Financave. Gjithë procesi ka kaluar edhe përmes dorëzimit nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të listës së pronave publike, të dhëna me qira apo që janë në proces privatizimi në Agjencinë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikim sipas ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”. Për t'ju ardhur sa më mirë në ndihmë ish-pronarëve, privatizimi po bëhet për çdo objekt apo dhe pjesë të veçanta të tyre, ku ka pronarë të vjetër të trojeve.

Rivlerësimi i aseteve

Ministria e Ekonomisë ka përfunduar edhe procesin e rivlerësimit të aseteve për të gjitha shoqëritë aksionere, ku shteti zotëron mbi 51 për qind të aksioneve, me qëllim që ish- pronarët të përfitojnë aksionet që u korrespondojnë vlerës së trojeve mbi të cilat janë ndërtuar objektet e Sh.A apo të Sh.p.k-ve dhe që u janë njohur si pronë nga AKKP-ja. Burime zyrtare të METE-s thonë se në privatizim do të kalojnë të gjitha asetet shtetërore, për të cilat ka pronarë të trojeve, të njohur me vendime të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të cilët gëzojnë të drejtën e parablerjes në përputhje me ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Në procesin e privatizimit të pronës shtetërore, me qëllim që të zgjidhen maksimalisht edhe problemet që lidhen me pronat e ish-pronarëve, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po bashkëpunon me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Pronësia e truallit

Në privatizimin e objekteve ka nisur puna rast pas rasti për përcaktimin e pronësisë së truallit dhe çmimit të shitjes së tij në përputhje me aktet ligjore, duke synuar sigurimin e të drejtës së parablerjes për ish-pronarët. E gjithë paketa ligjore e privatizimit përfshin respektimin e të drejtës së parablerjes të pronarëve të trojeve gjatë privatizimit të aseteve shtetërore. Sipas kuadrit të ri ligjor të privatizimit, përcaktohet qartë se çdo dosje privatizimi do të shoqërohet me dokumentacionin e pronësisë mbi truallin nëse ka të tillë dhe vetë Ministria e Ekonomisë do të marrë konfirmimin nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›