E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha justifikon kryeministrin italian

16/02/2010 Batuta e Berluskonit

Kryeministri Sali Berisha është përpjekur të justifikojë homologun e tij italian Silvio Berluskoni, për batutën që ai hodhi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp disa ditë më parë në Romë. “Emigracioni klandestin? Lejohen vetëm po sollën vajza të bukura”, ishte batuta e kryeministrit Berluksoni, e cili u tha ndërkohë që Berisha po fliste për masat e marra nga Qeveria shqiptare për ta ndaluar atë. Dje, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i Qeverisë shqiptare tha se historiku i shakasë ishte në të vërtetë thjesht një kompliment ndaj gazetareve shqiptare dhe se nuk duhet nënkuptuar për keq. “Gjatë konferencës së shtypit, tek po informoja për Moratoriumin e skafeve, përballë nesh ishin tri gazetare shqiptare, (të themi të vërtetën ishin të pashme), të cilave kryeministri Berluskoni u bëri një kompliment që padrejtësisht ka ngjallur një keqkuptim. Në rast se Silvio Berluskoni bëri kompliment në drejtim të tyre, aty në tërësi audienca ishte mashkullore, nuk mund të them se këto të tria nuk binin në sy, aq sa unë i ftova të tria që të bënin një foto bashkërisht. Ky ishte i gjithë historiku i shakasë së tij. Cila ishte përgjegjësia e tij, në qoftë se këto tri zonja spikasnin me sharmin dhe me hiret e tyre?”, tha Berisha. Sipas tij, kjo ishte e gjithë historia e atij keqkuptimi, që kishte lidhje direkt me faktin se para tavolinës ku ishin vendosur krerët e dy qeverive ishin tri gazetare shqiptare, që spikasnin me sharmin e tyre. Por Berisha u ndal vetëm për pak minuta te ky moment. Ai u rrëfeu deputetëve demokratë për vizitën e tij në Itali, e cila, sipas tij, ishte shumë pozitive. Kreu i Qeverisë theksoi se homologu i tij italian Berluskoni dhe qeveria italiane mbështetën plotësisht procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe vizionin e Qeverisë shqiptare për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›