E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kafe pune me Neritan Cekën

 

Aristir Lumezi

Sali Berisha dhe Neritan Ceka kanë biseduar dje për rreth 40 minuta në një nga hotelet e njohur të kryeqytetit. Në mënyrën më të papritur, kur Ceka është pozicionuar në krah të partive politike opozitare që kërkojnë referendum për ndryshimet kushtetuese, Berisha kërkon në një takim "konfidencial", nën praninë e kamerave, një nga themeluesit e Partisë Demokratike të dhjetorit '90. Kamerat janë mbajtur larg kafenesë së hotelit ku u mbajt takimi, por në mbarim të tij, dy bashkëbiseduesit kanë bërë deklarata shumë të përmbajtura. Sali Berisha, i kënaqur nga rezultatet e këtij takimi, e cilësoi atë sa privat aq dhe të rëndësishëm. "Mund të them se ishte një takim i rëndësishëm, miqësor, por dhe privat", u shpreh Kryeministri dhe kreu i maxhorancës. Ndërsa aleancisti Neritan Ceka, edhe pse dha më shumë detaje, u mundua të mbante të fshehtë thelbin e përmbajtjes së takimit. Ceka la të kuptohet se PAD do të jetë pjesë e së djathtës pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm. "Takimi nuk kishte të bënte me çështjet aktuale, kishte të bënte në përgjithësi me një shkëmbim mendimesh, mbi PD e vjetër dhe të djathtën e ardhshme. Do të jetë një e djathtë që do krijohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Biseduam përgjithësisht dhe jo konkretisht, për rolin që mund të luajë Aleanca në këtë proces që është krejt i natyrshëm", u shpreh Ceka pas takimit. I kontaktuar në telefon nga gazeta "Panorama", kryealeancisti u shpreh se: "Ky nuk ka qenë takimi i parë i tij me Berishën". "Kjo është një praktikë pune, ku Kryeministri i vendit takohet me kryetarin e një partie parlamentare. Jam takuar edhe më parë dhe do të takohem sërish në një të ardhme jo shumë të afërt", tha Ceka.
Referendumi
Kreu aleancist Ceka është një nga kundërshtuesit e flaktë të ndryshimeve kushtetuese të bëra më 21 prill nga votat e deputetëve të PS-së dhe PD-së. Veçanërisht Ceka ka kundërshtuar nenet kushtetuese, të cilat fuqizojnë rolin e Kryeministrit dhe dobësojnë kompetencat e Presidentit të Republikës. Në protestën e 10 majit në sheshin 'Skënderbej' Ceka i kujtoi shqiptarëve se maxhoranca e re, PS-PD po përgatit shtetin e skllevërve. "Ju prisnit që pas shpërthimit makabër të Gërdecit Kryeministri Berisha të jepte dorëheqjen, por Rama i dha bekimin për të qëndruar në pushtet, siç thotë dhe ai, aq sa ta lejojë Zoti.
Ju takon juve që të vendosni për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Ata po përgatisin vendosjen e shtetit të skllevërve, por ne jemi këtu për të mbrojtur republikën e qytetarëve", u shpreh Ceka. Pak ditë më parë, Ceka është regjistruar në grupin parlamentar LSI-PDS, duke u bërë anëtari i tetë i tij. Lajmi mediatik i takimit të Cekës me Berishën, ka befasuar anëtarë të tjetër të koalicionit opozitar në mbrojtje të Kushtetutës, të cilët e konsideronin një gjë të tillë të pabesueshme. Por, nëse do të shohim taktikën e Berishës, asgjë s'ka ndryshuar. Edhe në kulmin e krizës së dhjetorit 2006, kur opozita kishte deklaruar se nuk do hynte në zgjedhjet e pushtetit vendor, Berisha zhvilloi një takim disa minutash me ish-kreun socialist, Fatos Nano, i cili përfundoi me shtrëngim duarsh dhe deklarata publike, duke detyruar opozitën të firmosë ndryshimet në kodin zgjedhor. Në fakt disa herë, në deklaratat publike, kreu i PAD-së e ka pozicionuar veten dhe partinë e tij jo si parti e bllokut të majtë, me të cilën ishte në koalicion opozitar, por e qendrës së djathtë.

Ceka në grupin e LSI-PDS

Neritan Ceka është regjistruar deputet i grupimit LSI-PDS. Pas kërkesës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për riformatimin e grupeve parlamentare dhe deklarimin e deputetëve, është braktisur nga PS dhe deputetët e saj, duke e lënë pa grup parlamentar. Në këtë mënyrë, javën e shkuar, Ceka u regjistrua tek LSI, duke e çuar grupin e tyre parlamentar me 8 deputetë.

Takohet me Berishën për presidentin

Para kandidimit për president, vitin e shkuar, Ceka është takuar me Berishën. Këtë ai e ka deklaruar në emisionin "Opinion". "Ka qenë një takim miqësor, me pak emocione nga të dyja palët. Takohemi në mënyrë periodike çdo 10 vjet dhe në situata të vështira. I kam premtuar Kryeministrit se do jetë radha e fundit dhe sherre më s'do ketë. Ishte me pak emocion takimi", është shprehur Ceka.

Premtim për ministër

Pas fitores së Bamir Topit si president në korrik të vitit të kaluar, kandidati humbës, Neritan Ceka mori premtimin nga Kryeministri Berisha se do të marrë një portofol ministri në qeverinë e djathtë. Por situata politike brenda të djathtës nuk ishte e favorshme për të bërë ndryshime qeverie, duke e ripozicionuar Cekën në koalicionin e majtë opozitar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›