E Diel, 1 Nëntor 2026

Hije skandali, Laçi akuzon Apoloninë

Drejtuesit e skuadrës të Laçit akuzojnë klubin e Apolonisë, duke thënë se drejtuesit e kësaj të fundit kanë tentuar të blejnë lojtarët e skuadrës laçiane. 

Jetmir Halilaj

Pas ndeshjes Laçi-Apolonia 1-1, e cila u luajt të dielën, skuadra fierake arriti të sigurojë ngjitjen në Kategorinë Superiore. Drejtuesit e klubit kurbinas, për të provuar akuzat e tyre kanë paraqitur dje në kasetë filmike në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe televizionin “News 24” ku shihen dy lojtarë të këtij klubi dhe një person tjetër, që sipas tyre është i dërguar i administratorit të Apolonisë Endri Puka dhe që quhet Vladimir Çela. Sipas shefit të klubit të Laçit, Pashk Laska, filmimi është kryer në një nga lokalet e Laçit të dielën në mëngjes, pak orë përpara fillimit të ndeshjes.
Pashk Laska
Shefi i klubit të Laçit, Pashk Laska ka thënë se kontaktet mes përfaqësuesve të klubit fierak dhe lojtarëve të skuadrës së tij kanë nisur që ditën e mërkurë. “Drejtues të klubit të Apolonisë kanë kontaktuar me një nga lojtarët tanë që ditën e mërkurë dhe i kanë kërkuar atij takim – ka thënë Laska për “Panorama” – Lojtari, Eduard Tanushi, menjëherë më ka njoftuar dhe më ka vënë në dijeni për këtë gjë, duke u treguar korrekt jo vetëm me mua, por me gjithë klubin e Laçit dhe tifozët e kësaj skuadre. Isha, unë ai që i sugjerova lojtarit që të luante rolin. Ata i kërkuan takim edhe të shtunën, por takimi nuk u realizua dhe u shty për të dielën. Gjithçka ndodhi në një nga lokalet e qytetit të Laçit. Ne kishim përgatitur gjithçka dhe e kemi të filmuar. Personi i quajtur Vladimir Çela, i cili na u prezantua si shofer i drejtuesit të Apolonisë, Endri Puka, iu ofroi 15 dollarë dy lojtarëve tanë për ta lënë ndeshjen. Madje pas këtij momenti kur ai është ngritur nga tavolina dhe ka dashur të largohet ne menjëherë i thamë këtij personi se e kemi filmuar, madje i kemi marrë edhe një deklaratë me shkrim ku ai vetë ka pohuar se ka ardhur për të blerë dy lojtarë të Laçit. Materialin ia kemi dërguar menjëherë Federatës Shqiptare të Futbollit dhe iu kemi kërkuar që të marrin masa dhe të fillojnë hetime, pasi ky është një rast skandaloz”. Laska ka thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë edhe me prokurorinë nëse kjo e fundit do të kërkojë informacione apo të dhëna më të hollësishme. “Nuk kam bërë asnjë denoncim në prokurori sepse kjo është një çështje sportive dhe unë dua që ajo të zgjidhet sa më shpejt dhe të vendoset drejtësi dhe ne kërkojmë fitoren në tavolinë pas kësaj që ka ndodhur. Unë kam biseduar nëpërmjet telefonit edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka dhe i kam kërkuar atij drejtësi. Ai më sugjeroi që t’i drejtohesha organeve përkatëse në Federatë dhe u zotua se kjo çështje do të trajtohej me shumë korrektesë”, ka thënë Laska.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›