E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërcënon opozitën: Mos guxo 21 Janar të dytë!

Share

(E PERDITESUAR)- Kryeministri tha se u qëndron mesazheve që ka dhënë më parë për 21 janarin. Në prag të vendimit për Metën, Berisha kërcënon opozitën: Mos guxo një 21 Janar të dytë! Ai tha se ngjarjen e kanë organizuar njerëz që kërkonin një mandat të dytë. Berisha: Një juntë do instalohej në pushtet. Berisha do festojë më 21 janar për Kongresin e Lushnjes

Kryeministri Sali Berisha e ka quajtur 21 Janarin e vitit të shkuar si përpjekje për të vendosur një juntë në krye të vendit. Berisha tha se këtë ngjarje e bënë njerëzit që duan një mandat të dytë. Berisha përsëriti se i qëndron mesazheve që ka dërguar për Edi Ramën më 23 janar 2011 që të mos përsërisë ngjarje të tilla. Në prag të dhënies së vendimit për Ilir Metën, Berisha i mbajti këto qëndrime të ashpra. “Dy fjalë për Edvin Kristaq Ramën. Në qoftë se mendon se me banda, banditë dhe me trafikantë do të mund të bëhesh faktor dhe do të faktorizohesh, të garantoj se do të trajtohesh njëlloj si ata dhe se nuk do mundesh kurrë të pushtosh as edhe institucionet më të parëndësishme të këtij vendi. Ato do ti mbrojnë të gjitha forcat e rendit, do ti mbrojnë qindra dhe mijëra burra e gra të betuar për detyrë, të betuar për flamur. Mjeran, mos guxo!” pati deklaruar Berisha atëherë.

Berisha tha se do festojë më 21 janar, për shkak se atë ditë është nisja e Kongresit të Lushnjes, që punoi për pavarësinë e vendit dhe që shpalli Tiranën kryeqytet.

21 janari i vitit të kaluar nuk mund të eklipsonte këtë ngjarje të madhe të historisë shqiptare, por si në ngjarje që synoi të përmbysë një qeveri legjitime me dhunë, si një ngjarje, e cila në një akt të pandodhur tetë dekadat e fundit, u përpoq të instalonte një juntë të një grushti njerëzish që donin mandatet e dyta të bazuara mbi dhunën. Edi Rama po flet gjithë këto ditë për këtë ngjarje. Unë kam ndërmend të merrem me ngjarjen historike, që është një ditë e dashur, një ditë e madhe në historinë tonë kombëtare. Por të jem i sinqertë dua ti them zotit Rama këto që vijojnë. Mesazhi që kam dërguar më 23 janar 2011 është dhe do mbetet për mua sa të mbetem në politikë, i pandryshuar. Ndaj dhe mund të derdhësh lot krokodili, por harroje se ai mesazh i ka të gjitha brenda. Nuk kam ndërmend të shkoj më tutje. Një proces është në vazhdim. Deri sot nuk ka asnjë hetim për organizatorët e tij, për mandatprerët që vendosën të kenë një mandat të dytë duke përzënë me zjarr qeverinë legjitime. E vërteta është se e kam dëgjuar këto ditë që të thotë se ngjarja do hetohet. Ata që mendojnë se do e kapërcejnë pa hetim këtë, gabohen. E bëj këtë në respekt të madh për ata që në 21 janar shpallën Tiranën kryeqytet, themeluan një qeveri që bëri përpjekjet më të mëdha për të vendosur Shqipërinë në rrugën e konsolidimit të shtetit. Bënë gjithçka të parandalonin aventurierët, tha Berisha.

Berisha, në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PD-së, është shfaqur i qeshur. Ai ka takuar një për një deputetët demokratë dhe ka ironizuar disa prej tyre, duke thënë se nuk festuan dot Vitin e Ri, pasi mbetën të bllokuar në borë. Mendohet se bëhet fjalë për Ridvan Boden, Flamur Nokën, Sokol Olldashin, Erla Mëhillin etj, që kanë mbetur të bllokuar në një hotel në Zvicër ku kanë shkuar për të festuar Vitin e Ri, për shkak të borës.

Gjatë fjalimit të tij, Berisha është ndalur gjatë tek ekonomia, duke thënë se Shqipëria, në katër vitet e fundit, ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në Europë.

Një nga drejtimi ynë për këtë vit, do të jetë rritja e rrogave dhe pensioneve. Ne do ti qendrojmë kësaj politike, si një domosdoshmëri për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe për të zvogëluar varfërinë. Kriza që ka pllakosur Europën dhe mbarë botën, nuk është një krizë afatshkurtër. Kjo është një krizë që ka në themel mospërshtatjen me reformat, e cila ka bërë që vetëm vitet e fundit, 75% e investimeve në planet të zhvillohen në vendet BRIKU-t, Kina, Brazili, India e me radhë. Pra, investimet janë bërë globale. Në liritë ekonomike, Shqipëria lë prapa 8-9 vende të BE-së. Kjo, si pasojë e reformave. Në gjithë këtë situatë krize ekonomike, një gjë është e sigurtë: modeli ekonomik shqiptar funksionon.  Të gjithë ata që nuk e kuptojnë këtë, janë të verbuar. Modeli ynë funksionin bindshëm në këtë kohë krize të thellë. Modeli ynë ka dhënë rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Në katër vjet, vendi me rritjen më të madhe në europë është Shqipëria, me 18%. Në këto katër vjet, në BE rritjen më të madhe ekonomike e ka pasur Polonia, me 15%, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.

Ai është ndaluar gjatë edhe tek projekti që e ka cilësuar si kombëtar, pyllëzimi dhe dixhitalizimi.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që i ka prokurimet publike 100% elektronike. Shqiptarët kanë mundësinë që të mësojnë në faqen e Ministrisë së Financave, për çdo qindarkë që është përdorur nga qeveria. Kjo është një arritje historike. Projekti kombëtar për pyllëzimin me dru frutorrë, do të njohë një dimension tjetër dhe ne do të bëjmë gjithçka për zhvillimin e tij. Ky project është i përqendruar tek arrorët dhe ulliri, po do mbështesim dhe frutorët e tjerë. Këtë vit Shqipëria ka prodhuar 250 mijë tonë patate, por ajo ka mundësitë që të prodhojë më shumë se 700 mijë ton.

Nuk kishte si të mungonte në këtë takim, edhe fjalimi zakonshëm tashmë i Berishës për 100-vjetorin e Pavarësisë. Sipas Berishës, është jashtë realitetit që të mendohet se gjatë luftës çlirimtare të kenë rënë 28 mijë persona.

Ky vit është një vit i jashtëzakonshëm, pasi është 100-vjetori i Pavarësisë. Ne na takon që ta festojmë dhe kremtojmë këtë 100-vjetor si duhet. Ju duhet ta shndërroni këtë vit, në një vit vlerësimi, dinjiteti, optimizmi, nderimi dhe vizioni për të gjithë vendin. Ne kemi patur një rrugë shumë të mundimshme, por kjo ishte një rrugë që na solli ne në këtë moment të lirë. Ndaj dhe duhet ta kthehjmë këtë vit, në një vit nderimi pë rata që e kanë bëtë të mundur këtë 100-vjetor. Para së gjithash për ata që kanë rënë që ne të jemi të lirë. Mjerisht, të shumtit që kanë rënë në këtë ditë, mbeten të përfaqësuar ngë Ushtari i Panjohur, sepse rregjistrat tona janë problematike. Ky 100-vjetor duhet të na bëjë që të rishikojmë edhe figurat historike dhe vetë historinë, pasi kjo është një çështje komplekse.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›