Berisha: Modeli ynë ekonomik i suksesshëm. Rritje ekonomike
“Ne e nisim një vit të ri me një rëndësi shumë të madhe në projektin tonë të zhvillimit të Shqipërisë, të shndërrimit të saj në një vend të zhvilluar. Ne nisim një vit të ri me një vendosshëmri të madhe për të avancuar refromat në të gjitha fushat dhe me besimin që perfomancat e qeverisjes do të jenë ndër më të mirat në historinë e vendit dhe do të bëjnë të mundur realizimin e të gjithë projekteve të cilat qytetarët shqiptarë i presim me padurim”. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në mbledhjen e parë për këtë vit të grupit parlamentar të PD-së ndërsa ka paraqitur edhe objektivat e qeverisë ku kryesore do të mbetet rritja e rrogës dhe pensioneve.
Sipas tij, qeveria do t`i qëndroje kësaj politike si një domosdoshmëri për të përmirësuar jetën e njerëzve, zvogëluar varfërinë, por edhe si investimi më kryesor në kapitalin njerëzor. Duke iu referuar buxhetit të paraqitur, Berisha ka deklaruar se me këtë buxhet afrohemi te dera e zgjidhjes përfundimtare të infrastrukturës rrugore të vendit.
Kreu i qeverisë gjithashtu ka vlerësuar sërish modelin ekonomik të Shqipërisë, që e renditi atë në të vetmin vend me rritje ekonomike në Evropë në kohën e krizës. “Modeli ynë funksionon dhe ai i ka dhënë këtij vendi rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Ata që vjellin vrer kundër tij t`u referohen shifrave të institucioneve ndërkombëtarëve” theksoi Berisha ndërsa ka shtuar se modeli shqiptar funksionon, e për ata që nuk kanë kuptuar këtë, ose nuk kanë të qartë se ç`është modeli, ose janë të verbuar nga qëndrime të tjera.
“Në një vit elektoral të ardhurat tatimore dhe doganore, që janë segmenti më i rëndësishëm i zbatimit të ligjit, aty ku ai përballet me presionin e parasë, u realizuan 101 % nga doganat dhe 98% nga tatimet. Ne kemi sjellë një buxhet realist në Kuvend. Modeli ynë funksionon dhe ai i ka dhënë këtij vendi rritjen më të madhe ekonomike në Evropë” shtoi më tej Berisha.