E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magani: Gjithçka për t‘i shërbyer Flamurtarit

Gugash Magani prezantohet zyrtarisht si trajner i Flamurtarit. Në fakt, akordi mes palëve është gjetur që prej pasdites së të dielës, por dje 44-vjeçari është njohur nga afër me skuadrën dhe ka thënë fjalët e para për aventurën në stolin kuqezi. "Pas një karriere disavjeçare në skuadrën e vendlindjes, Shkumbini, fillimisht si lojtar e më pas si trajner, sot (dje) kam nderin të marr pankinën vlonjate", deklaroi ai. "E kam vlerësuar maksimalisht ofertën që më bënë drejtuesit e Flamurtarit dhe premtoj se do të jap gjithçka për t‘i shërbyer kësaj fanelle historike në futbollin shqiptar". Objektivi fillestar është nxjerrja e skuadrës nga kriza, ndërsa me kalimin e javëve do të vlerësohet edhe se çfarë mund të arrijë Flamurtari gjatë këtij sezoni. "Për mua kjo detyrë është një nder dhe mendoj se nëse të gjithë do të punojmë me përkushtim, për të ngritur skuadrën në nivelet që kërkohen". Deri në javën e dytë të sezonit 2009-2010, Magani drejtoi Shkumbinin. Ai do të debutojë me bregdetarët në takimin me Gramozin në Ersekë. Në stolin peqinas, Magani nuk arriti të merrte më shumë se barazimi pa gola në fushën e skuadrës që luan për herë të parë në elitë. Ish-lojtari i mirënjohur i Shkumbinit zëvendëson në Vlorë teknikun Eqerem Memushi, i cili dha dorëheqjen pas humbjes 3:0 me Teutën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›