PS: Studiuesit karagjozë transformuan historinë
Partia Socialiste kërkoi dje publikisht që libri i Historisë së Shqipërisë për klasat e 12-ta në sistemin shkollor të tërhiqet menjëherë, pasi konsiderohet një veprim skandaloz. Funksionarët e opozitës vlerësojnë se ai dizinformon mbi zhvillimet historike në kapitullin ku flitet për zhvillimet e demokracisë në 20 vitet e fundit. Kryetarja e Komisionit të Arsimit në selinë rozë, njëherësh edhe deputetja Ledi Shamku, në një komunikim me mediat bëri denoncimin e radhës në hartimin e teksteve shkollore duke ia faturuar këtë përgjegjësi direkt Ministrisë së Arsimit. Veç tërheqjes së librit nga qarkullimi, PS kërkoi që autorët e këtij libri, Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu dhe Xhevair Lleshi të kërkojnë falje. Konkretisht, në kreun e XII, në faqen 195-198 bëhet një përshkrim i Shqipërisë në tranzicion. Në pjesën kur flitet për vitin 1997, periudhën qeverisëse tetëvjeçare të socialistëve e më tej për zgjedhjet e 2005 bëhet një dallim i qartë ndaj forcave politike në mënyrën se si vlerësohen ato. "Kështu, viti 1997 konsiderohet rebelim komunist, ndërsa tetë vitet e qeverisjes së PS i përfshiu niveli i lartë i korrupsionit. Ndërkohë që me tone mjaft pozitive konsiderohet periudha që kur PD fitoi zgjedhjet në 2005. Por duket se mjaft tendencioze është një prej pyetjeve në fund të mësimit ku pyetet: "Pse qeveritë socialiste të viteve 1997-2005 ishin mjaft të korruptuara?"", tha Shamku. Sipas saj, Sali Berisha do të vendosë sërish diktaturën në Shqipëri. "Libri i Historisë së gjimnazit këtë vit dëfton sesi studiuesit karagjozë e puthadorë të këtij diktatori po u vjedhin shqiptarëve historinë, duke i sajuar faktet e tranzicionit ashtu siç i do oreksi i sulltanit më të ri të Shqipërisë të ‘97-‘98, i shpërthyesit të korrupsionit vrastar të Gërdecit dhe i dhunuesit tashmë të përhershëm të lirisë zgjedhore", tha Shamku. Sipas saj, ky tekst molepsës rreket t‘u mbushë mendjet gjimnazistëve se "në 2005 Sali Berisha çeli një epokë të re për vendin". Shamku sulmoi ashpër autorin e këtij teksti. "Në krye të autorëve, tha ajo, të këtij teksti është sahanlëpirësi i regjimeve, z. Beqir Meta, sot nëndrejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike", u shpreh Shamku. Ndaj, socialistët dolën në përfundimin se shkrimi i historisë ka kaluar nga diktati i Enver Hoxhës në diktatin e Sali Berishës, pa ndërruar shkrues, duke marrë edhe aprovimin e Ministrisë së Arsimit për të helmuar mendjet e gjimnazistëve me shpifje dhe urrejtje". Shamku kërkoi tërheqjen e menjëhershme të këtij teksti të turpshëm nga tregu dhe nga të gjitha shkollat e vendit. "E jo vetëm kaq, Partia Socialiste kërkon që autorët e kësaj paçavureje të shkarkohen nga funksionet drejtuese e të kërkojnë falje publike - sikundër ndodh në botën e qytetëruar në raste të tilla flagrante, dhe këta pseudostudiues karagjozë mos lejohen më të përgatisin tekste shkollore", vijoi deputetja e PS. Denoncimi o djeshëm u konsiderua si një arsye më shumë për selinë rozë që të besojë se Berisha po instalon një diktaturë, dhe që pasi vodhi votat e shqiptarëve, tanimë kërkon t‘u vjedhë edhe historinë. "Ja pra, pse Partia Socialiste nuk mund të hyjë në Kuvend! Nuk mund të hyjë, sepse shoqëria shqiptare duhet mbrojtur nga thonjtë e këtij diktatori në instalim, që pasi u vodhi shqiptarëve votat, tash po orvatet t‘u vjedhë edhe historinë", vërejti Shamku.