Përfundon "agjërimin" 6-mujor Erjon Bogdani: Jam i lumtur
Pritja e gjatë përfundoi. Erjon Bogdani rigjeti golin në Serinë A. Pas paraqitjeve të mira me Kombëtaren, sulmuesi 32-vjeçar e kërkonte prej kohësh rrjetën edhe në kampionat me Kievon. Ai nuk shënonte prej gjashtë muajsh, hera e fundit kur kishte festuar ishte më 15 mars të këtij viti, në fitoren 3:0 që Kievo arriti në fushën e Lacios. Gjithsesi, nuk e kishte humbur asnjëherë shpresën. Goli erdhi pas një fillim sezoni ku Bogdani është shfaqur gjithmonë si protagonist. Madje, në fitoren me Xhenoan (ku fitoi edhe penalltinë që zhbllokoi rezultatin), kuqeziu ka regjistruar paraqitjen më të mirë gjatë dy vjetëve e gjysmë te klubi veronez, ku u transferua në janar të vitit 2007 për 3 milionë euro. "A jam i lumtur? Natyrisht që ndihem i lumtur. Gjithsesi, më duhet të them se futbolli ndonjëherë është i çuditshëm", deklaroi Bogdani. "Kur shënon një gol bëhesh menjëherë protagonist, ndërsa në rastet kur nuk gjen rrugën e rrjetës sakrificat nuk të vlerësohen, edhe pse në fushën e lojës mund të japësh maksimumin, pavarësisht kësaj, falënderoj trajnerin e Kievos, Di Karlo, dhe stafin teknik që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Është merita e tyre që po kaloj një formë të mirë fizike".
Vetëm pak kohë më parë, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare shihej si një element i panevojshëm për Kievon. U spekuluan destinacione të ndryshme, në Serinë A apo edhe në kampionatin anglez, por Bogdani vendosi të mos largohej nga Verona. "Nuk kam çfarë të them rreth kësaj teme, unë mundohem vetëm të bëj sa më mirë punën time. Pastaj, golat të ndihmojnë, të rikthejnë buzëqeshjen. Por, nuk duhet të harrojmë se pas meje luan një skuadër e tërë, që më ndihmon". "Agjërimi" përfundoi dhe tashmë Erjoni është i përqendruar në sfidën e radhës me Sienën, klub në të cilin e kujtojnë për paraqitjet e mira në fushë. "Kam kujtime të bukura nga kjo skuadër. Gjithsesi, dua të mendoj vetëm për të tashmen dhe e tashmja ime është Kievo. Kundër Sienës do të jetë një sfidë mjaft delikate, duke qenë se është një përballje direkte mes dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Jemi një skuadër e mirë, nuk u trembemi kundërshtarëve dhe fitorja me Xhenoan na ka dhënë më tepër siguri në forcat tona", përfundoi Bogdani.