E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kërkon mbështetjen e PPE-ve për liberalizimin e vizave për shqiptarët



Kryeministri Berisha, gjatë vizitës njëditore në Austri, ku referoi në konferencën “Bota në vitin 2025”, zhvilloi një sërë takimesh me personalitete europiane dhe ishte i ftuar nderi në darkën zyrtare, ku morën pjesë personalitetet më të shquara pjesëmarrës në këtë konferencë. Kështu, kryeministri Berisha zhvilloi një takim të përzemërt me zoti Joseph Daul, kryetari i grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian, i cili përgëzoi kryeministrin Berisha për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend. Kryeministri Berisha e njohu zoti Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve të nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme Komisionit Europian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, i cili, në vizionin e kryeministrit Berisha do të shërbejë si një udhërrëfyes për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit europian. Gjithashtu, kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar mbështetjen e grupit të Partive Popullore Europiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe suportin në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjithashtu, kryeministri Berisha, në mbyllje të vizitës së tij në Austri, ishte i ftuar në tavolinën e nderit të darkës zyrtare, ku ndodhej i ulur pranë me Presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, të cilin e ftoi të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Berisha në Vjenë: “Jemi në pritje për statusin e vendit kandidat në BE”

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje në konferencën “Bota në vitin 2025”, të mbajtur në Vjenë, ka vënë theksin në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij Berisha është shprehur se integrimi i Shqipërisë në BE përbën një qëllimin më madhor që kanë shqiptarët, një ndër vendet që ka vuajtur izolimin më të rëndë në Europë. “Është një nder i madh dhe një kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë aktivitet dhe t’i drejtohem kësaj audience prestigjioze, si dhe të ndaj me ju projektin madhor të Shqipërisë për integrimin europian. Integrimi i Shqipërisë është për vendin tim, brezin tim dhe gjithë jetën time qëllimi më i madh. Procesi i integrimit në Bashkimin Europian është shumë i rëndësishëm për mua dhe qeverinë time. Ky është në të vërtetë udhërrëfyesi i vërtetë për procesin e reformave. Fatmirësisht mbështetja për integrimin në BE në vendin tim është 95%. Ky mbetet akoma projekti ëndërr i Shqipërisë. Dhe për mua është një avantazh i madh, një mundësi për të bërë më të mirën e mundshme. Integrimi në BE dhe integrimi në NATO është për të gjithë rajonin forca drejtuese që do ta ndryshojë rrymën në drejtim tjetër nga konfliktet apo luftërat civile dhe drejt bashkëpunimit, miqësisë dhe një të ardhmeje të përbashkët”, - është shprehur kryeministri i Shqipërisë. Berisha tha se Shqipëria po punon për të marrë statusin e vendit kandidat në BE-së. “Ndërkohë, Shqipëria është në pritje pasi ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. Pra, të gjitha vendet tona po punojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Unë shpresoj që ky proces do të jetë i favorshëm për ne. Kjo do të ishte në interesin më të mirë të qytetarëve tanë. Vendet tona duhet të ecin pasi qëllimi është i përbashkët, të bashkohen me ju, me zonën e demokracisë së konsoliduar”, është shprehur Berisha. Më tej, gjatë fjalës së tij, ai ka bërë një panoramë të zhvillimeve politike në Shqipëri, ndërsa ka vënë theksin në vullnetin që ka qeveria që ai drejton për të realizuar reformat e domosdoshme për integrimin europian.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›