E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët e Durrësit, tri viktima për 24 orë



DURRËS - Përgjaken rrugët në Durrës, ku brenda 24 orëve të fundit janë shënuar të paktën tri viktima. Pas aksidentit me pasojë vdekjen që ndodhi në mëngjesin e së premtes, edhe dy të tjera janë shënuar në vijim, duke marrë jetën e drejtuesve të mjeteve. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se të premten, rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tiranë – Durrës, pranë mbikalimit të Serave, shtetasi Spartak Çorbaxhiu, banues në Lagjen Nr. 13, duke drejtuar automjetin tip fuoristradë, me targë DR 7776 E, ka aksidentuar me vdekje shtetasin Bekim Zani. Sipas tyre, “viktima, rreth 60 vjeç, i ka ndërprerë rrugën mjetit për të kaluar nga njëri krah në tjetrin. Shoferi është larguar për momentin nga vendi aksidentit, por rreth orës 00:30 të ditës së djeshme, 25-vjeçari Çorbaxhiu është vetëdorëzuar në polici. Thuajse në të njëjtën orë u shënua një tjetër viktimë në aksin rrugor Katër Rrugët e Shijakut. Rreth orës 00:30 shtetasi Denis Gjata, banues në Shijak, duke drejtuar automjetin tip “Seat” veturë me targë BR 235 LY, në afërsi të komunës Xhafëzotaj, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka dalë jashtë rruge, duke goditur një shtylle elektrike, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së qarkut Durrës. Sipas tij, përplasja ka qenë fatale për 23-vjeçarin Gjata, i cili ka vdekur në vend. Në orën 2:30 minuta të ditës së premte, shtetasi Ramadan Mani, lindur në Dibër dhe banor në periferi të kryeqytetit, humbi jetën si pasojë e përplasjes me murin ndarës të autostradës Tiranë-Durrës, në afërsi të Sukthit. Burimet policore raportuan gjatë ditës së djeshme edhe disa aksidente të tjera në rrethe të ndryshme të vendit. Të paktën dy persona janë plagosur në Korçë.

Në pranga Antonio Vathi, kërkohej nga Drejtësia për trafikim femrash

KURBIN - Një person i kërkuar nga Drejtësia shqiptare për “trafikim femrash” dhe “shfrytëzim prostitucioni” ka rënë në prangat e policisë, pasi ishte shpallur në kërkim prej disa kohësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se dje u organizua operacioni për kapjen e shtetasit Antonio Veshi, lindur në fshatin Mazhicë dhe banues “Lagjja e re” në qytetin e Bulqizës. Sipas tyre, 35-vjeçari Veshi ka qenë person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka caktuar si masë sigurimi personal ndaj tij “arrest me burg”, për veprat penale të “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “trafikimit të femrave”. I prangosuri është nisur drejt qytetit të Tiranës, ku pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për akuzat që janë ngritur ndaj tij.

Plagoset me armë zjarri një 30-vjeçar, shpallet në kërkim autori

KUKËS – Një grindje për motive të dobëta ka përfunduar me plagosjen e një shtetasi 30-vjeçar, ndërsa autori është larguar menjëherë nga vendngjarja. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Kukësit bëjnë të ditur se shtetasi Bashkim Hallaçi është plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në afërsi të tregut të lirë, në Lagjen Nr. 1 të qytetit verior. Sipas tyre, ende nuk është bërë i ditur emri i atentatorit. I plagosuri ndodhet në Spitalin rajonal të Kukësit në gjendje të rëndë për jetën. Tri ditë më parë një atentat tjetër ndodhi në Shkodër, ku gjeti vdekjen një person dhe i plagos një kalimtare. Policia ka shpallur në kërkim autorin e krimit.

Shembet masivi i kromit, plagosen rëndë katër punonjës në Mat

MAT - Rikthehen tragjeditë në minierat e kromit në Mat. Të paktën katër persona kanë mbetur të plagosur pasditen e djeshme, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi minerali. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se janë plagosur rëndë shtetasit Azem Dema, Afrim Hani, Haqif Milkuri dhe Ilir Dulli. Dy të lënduarit e parë ndodhen në gjendje kritike për jetën. Gjatë momentit të aksidentimit ata po mblidhnin krom, kur është shkëputur një masiv gurësh, duke i zënë poshtë. Milkuri dhe Dulli janë shtruar në Spitalin e Matit dhe pas ndihmës së parë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje, por ende nuk ka të dhëna se për cilën firmë punonin katër punonjësit e plagosur. Ministria e Ekonomisë ka dhënë me dhjetëra leje shfrytëzimi në zonën e Matit dhe Bulqizës. Për pasojë, në disa firma private, të paspecializuara për shfrytëzime minerare, kanë ndodhur aksidente me pasojë vdekjen. Viti i kaluar shënoi një rekord viktimash në galeritë e Bulqizës dhe Batrës.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›