E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet e pjesshme, Meta prezanton kandidatin e LSI-së për Tiranën

Gjergj Thomai do të kandidojë për LSI-në në Njësinë Nr. 10. Pritet që edhe PD-ja të prezantojë kandidatin e saj për këtë njësi

Eljona Ballhysa
Partitë politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen më 15 nëntor. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi dje, gjatë një konference për shtyp në selinë e partisë, kandidatin e LSI-së për Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë. Për këtë njësi bashkiake LSI-ja ka zgjedhur të kandidojë një ndër anëtarët e Komitetit Kombëtar Drejtues, Gjergj Thomain. Por, sipas burimeve, edhe Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj për këtë njësi bashkiake, pasi marrëveshja për bashkëqeverisje me LSI-në nuk e përfshin bashkëpunimin për këtë njësi bashkiake. Njësia Bashkiake Nr. 10 në Tiranë është drejtuar nga Gerti Bogdani, i cili aktualisht gëzon mandatin e deputetit të Partisë Demokratike. Por, në rast se Partia Socialiste, ashtu sikurse ka deklaruar, nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, atëherë, më 15 nëntor, PD-ja dhe LSI-ja do të jenë rivale për këtë njësi bashkiake, por edhe për katër komunat e tjera ku do të zhvillohen zgjedhje për postin e kryetarit.
Kandidati
“Është kënaqësi e veçantë për mua, bashkë me zëvendëskryetarin e LSI-së, zotin Haxhinasto, të prezantojmë përpara jush kandidatin e shkëlqyer të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 15 nëntorit, për kryetarin e Njësisë Bashkiake Nr. 10 të kryeqytetit, të njërës prej zonave më me tradita dhe më qytetare të Tiranës, pikërisht zotin Gjergj Thomai”, - është shprehur Meta, ndërsa shtoi se kandidati Thomai “gëzon cilësi shumë të mira për të menaxhuar në një mënyrë tepër të kualifikuar ato probleme që ka kjo njësi, ashtu sikurse këto probleme janë dhe në zona të tjera të kryeqytetit, pasi ai ofron një eksperiencë dhe një kualifikim, në mënyrë të veçantë në çështjet që kanë të bëjnë me planifikimin dhe zhvillimin urban”. Më tej Meta ka shprehur bindjen se për LSI-në dhe kandidatin e saj do të votojnë të gjithë të majtët. “Gjergj Thomai është anëtar i Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Vjen pas një eksperience edhe si puna ime në Partinë Socialiste, dhe jam i sigurt që jo vetëm anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së, por gjithë të majtët dhe gjithë progresistët, në Njësinë 10 të kryeqytetit do të votojnë për të, sepse gëzon të gjitha cilësitë dhe të gjitha vlerat njerëzore, intelektuale dhe menaxheriale për të sjellë në një kohë të shkurtër një dallim të theksuar midis drejtimit dhe qeverisjes në Njësinë Nr. 10 me shumë të tjetra në kryeqytet”, - është shprehur Meta. Ai shtoi se duke parë eksperiencën e kandidatit Thomai, është një kandidat favorit edhe për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por Meta shtoi se për këtë garë ka ende kohë. Ndërsa Gjergj Thomai shprehu besimin se do të marrë mbështetjen e elektoratit të majtë në Njësinë Bashkiake Nr.10 në Tiranë. “Në radhë të parë desha të falënderoj z. Ilir Meta për vlerësimin dhe besimin e kandidaturës time në këto zgjedhje të rëndësishme të 15 nëntorit. Gjithashtu, desha të falënderoja dhe Zonën Nr. 10, si një zonë me tradita qytetare të majta dhe shpresojmë t’ia kthejmë këto tradita përsëri, aty ku janë. Nga konsultimet paraprake me strukturat e LSI-së, por edhe forca të majta të tjera, besoj se do të marr një vlerësim maksimal në këtë zonë”, - është shprehur kandidati i LSI-së për Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë.

Ministri i Jashtëm i Turqisë nis vizitën dyditore në Tiranë

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoglu, mbërriti dje në Tiranë për një vizitë zyrtare dyditore, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta. Axhenda e takimeve të ministrit të Jashtëm turk nis sot, në orën 09:30, në Ministrinë e Jashtme, ku pritet të ketë një takim me z. Meta. Më pas dy ministrat e Jashtëm do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Davutoglu, pritet të takohet me autoritetet më të larta të vendit, gjatë qëndrimit në Tiranë

Meta: “Ftoj opozitën të marrë informacion në Ministri për Marrëveshjen me Greqinë”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka ftuar dje opozitën që të marrë informacionin e duhur për Marrëveshjen e kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. I pyetur për depozitimin e kërkesës për shqyrtimin në Gjykatën Kushtetuese, Meta tha se është e drejta e opozitës të ndjekin të gjitha rrugët ligjore, por më parë duhet të marrin informacionin e saktë për këtë çështje. “Është e drejta e tyre të ndjekin rrugët që i gjykojnë më të përshtatshme. Unë ua kam thënë edhe më parë dhe përsëri më duhet të flas si ministër i Jashtëm, që janë të mirëpritur në Ministrinë e Jashtme, në çdo moment që të dëshirojnë, që t’u ofrohet i gjithë informacioni i duhur për të gjykuar lidhur domosdoshmërinë e kësaj marrëveshjeje. Jam i sigurt njëkohësisht se janë të mirëpritur gjithnjë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes që të informohen në mënyrën më institucionale dhe më korrekte. Se çfarë vendosin ata, është një çështje e tyre. Unë i ftoj të informohen në Ministrinë e Jashtme, ata zgjedhin të bëjnë protestë para Ministrisë së Jashtme. Kjo është çështje e tyre, por këtu kemi të bëjmë me raporte shtetërore dhe kjo gjë natyrisht që kërkon një gjykim të pjekur, kërkon një rrugë institucionale, larg interesave të ngushta politike. Problemet e brendshme janë tjetër gjë, ndërsa raporte të tilla janë shumë të rëndësishme, dhe për këtë i ftoj të sillen më përgjegjësi, po është e drejtë e tyre”, - është shprehur ministri i Punëve të Jashtme.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›