E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit, proces për dëmshmi trashëgimie për të marrë dëmshpërblimin

Dhjetëra familjeve u është dashur të hapin një proces civil në Gjykatë

Laureta Rryçi

Ndarja e pasurisë njihet në të gjitha familjet si moment i vështirë për të mbetur të gjithë të kënaqur. Jo pak procese të tilla zgjasin me vite të tëra sepse anëtarët e një familjeje gjykojnë se pasuria është ndarë në mënyrë jo të drejtë. Përveç konfliktit gjyqësor, për sa kohë që nuk merret dëshmia e trashëgimisë, asnjë prej pretendentëve trashëgimtarë nuk mund të kryejë asnjë veprim mbi pasuritë. Po kështu, në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, apo edhe në shumë institucione të tjera shtetërore, nuk njihet asnjëri prej pretendentëve për sa kohë që mungon dokumenti i trashëgimisë. Të njëjtin problem kanë hasur edhe dhjetëra familje ish-të përndjekurish, të cilët kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim në Ministrinë e Drejtësisë. Burime pranë këtij dikasteri shpjeguan dje për gazetën “Albania” se të gjitha ato familje ku nuk jeton më kryefamiljari, nuk mund të bëjnë tërheqjen e parave pa ndjekur më parë procedurën për dëshminë e trashëgimisë. Kështu, këto familje duhet të hapin medoemos një proces civil për të marrë dëshminë e trashëgimisë. Në varësi të vendimit të gjykatës, që përcakton në këtë rast jo vetëm trashëgimtarët, por edhe mënyrën se si u takon ndarja e pasurisë, vendoset edhe për marrjen e dëmshpërblimit.
Procesi
Ish-të përndjekurit që kanë aplikuar për dëmshpërblim, vetëm pak kohë më parë e kanë mësuar se për të marrë paratë duhet më parë të hapin një proces civil. Më konkretisht, t’i kërkojnë gjykatës që të njohë ligjërisht trashëgimtarët e kryefamiljarit që nuk jeton më, por që ka qenë ish- i përndjekur. Për këtë arsye, dhjetëra padi tashmë janë depozituar në Gjykatën e Tiranës për të mos humbur mundësinë e përfitimit të dëmshpërblimit për vitet e burgut. Vendimi i gjykatës është shumë i rëndësishëm në këtë rast për këto familje, për shkak se jo vetëm njihen trashëgimtarët, por edhe pasuria që u takon të marrin. Në varësi të pasurisë, nëse gjykata ka ??????????????????????lënë pasurinë në mënyrë të përbashkët, atëherë edhe dëmshpërblimi do të ndahet midis tyre në mënyrë të barabartë. Nëse vendimi i gjykatës ka bërë një ndarje tjetër, atëherë edhe dëmshpërblimi do të ndahet në këtë mënyrë.
Trashëgimia
Familjet që kanë bërë këto padi duhet ta dorëzojnë vendimin e gjykatës menjëherë në Ministrinë e Drejtësisë. E gjithë kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur për shkak se ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në tërheqjen e parave për dëmshpërblimin. Për këto raste, Drejtoria e Thesarit, që ka dhe si kompetencë shpërndarjen e parave, ka përcaktuar një procedurë më vete që duhet ndjekur nga familjarët. Sipas kësaj procedure, kur ish-i përndjekuri nuk jeton ose ka vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblimin, atëherë paratë duhet të tërhiqen nga trashëgimtarët që njihen ligjërisht me dëshmi trashëgimie. Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim, trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën duhet që të depozitojnë pranë Degës së Thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente: certifikatë vdekje të ish-të dënuarit; certifikatë të trungut familjar; dëshminë e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik; prokurë ku autorizohet një person për të bërë veprimet dhe numrin e llogarisë në njërën nga bankat që do të bëjë publike Ministria e Financave pasi të ketë kaluar paratë në llogaritë përkatëse. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë; emër, atësi e mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare, si dhe kompletimi i praktikës me të gjithë trashëgimtarët ligjorë sipas Nenit 8, pika 1, të Ligjit Nr. 10 111, datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të Ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007 ‘Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist’”.

Procedura që ndiqet në Gjykatë për të marrë “Dëshmi trashëgimie”

Kur vjen momenti për ndarjen e pasurisë brenda anëtarëve të familjes, të gjithë duhet t’i drejtohen gjykatës. Për këtë shkak,
paditë civile për dëshminë e trashëgimisë përbëjnë edhe numrin më të lartë të padive që depozitohen brenda një dite në gjykatë. Prej numrit të popullsisë këto padi shumëfishohen në rastin e kryeqytetit. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm procedurën që ndiqet për të tilla padi, rastet kur nuk është e nevojshme marrja e një avokati, si dhe rëndësia që ka për trashëgimtarët ky dokument. Të gjitha këto padi shqyrtohen nga gjyqtarët civilë. Gjyqtarët, pak kohë më parë, për shkak të mbingarkesës prej këtyre padive, hodhën idenë se këtë dokument mund ta lëshonte noteri, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet e botës. Në këtë mënyrë do të kishte më pak mbingarkesë dosjesh dhe do të ulej kostoja e shpenzimeve gjyqësore që ngarkojnë xhepin e qytetarëve. Paditë civile për dëshmi trashëgimie fillimisht ndjekin procedurat e zakonshme të njëllojta për të gjitha paditë që depozitohen në gjykatë. Pra, padia depozitohet në sekretarinë e gjykatës dhe më pas hidhet shorti që përcakton gjyqtarin që do ta gjykojë. Gjyqtari fillimisht njihet me objektin e dosjes dhe më pas, në gjykim të tij, cakton seancën e parë të shqyrtimit. Nëse palët kanë rënë dakord dhe janë në marrëveshje të plotë për ndarjen e pasurisë, procesi ka gjasa të përfundojë shpejt dhe në këto raste rekomandohet që të mos merret avokat. Në këtë mënyrë do të kishte më pak shpenzime për personat që bëjnë kërkesën. Ndërsa në rastet kur trashëgimtarët kanë mosmarrëveshje midis tyre mbi pasurinë, atëherë procesi zgjat më shumë se 100 ditë dhe dëgjohen të gjitha palët për pretendimet e tyre. Madje edhe ekspertët kur vlerësojnë pasuritë që do të trashëgohen. Gjyqtarët që gjykojnë të tilla çështje tregojnë se më shumë probleme kanë hasur në rastet kur vëllezërit nuk duan të jenë pjesë e trashëgimisë edhe motrat e martuara.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›