E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kërkon ndërhyrje emergjente

28/02/2010 Aksidentet rrugore

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar marrjen e masave të rrepta, në mënyrë që të frenohen aksidentet tragjike në rrugët e vendit. Duke e cilësuar si tragjik bilancin e aksidenteve, kreu i Qeverisë, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ndërministror për Sigurinë Rrugore, tha se masat në këtë drejtim duhet të jenë emergjente me ndërhyrje shumëplanëshe, nisur dhe nga faktorët e shumtë që ndikojnë në këtë fenomen. “Problemi i sigurisë rrugore është një problem kompleks, në të cilin gërshetohen një seri faktorësh që nga rrugët dhe siguria e tyre, nga kultura dhe aftësitë e atyre që drejtojnë mjetin, nga rendi që ndjekin ata që monitorojnë trafikun rrugor. Pra, cilësia e rrugëve, sinjalistika, janë një seri faktorësh për t’u adresuar. Ndaj, për t’u përballur me këtë situatë, është e domosdoshme një përballje shumëplanëshe. Situatës nuk i jepet përgjigje, në rast se ne e konceptojmë këtë si një përgjegjësi të Policisë Rrugore”, ka deklaruar ai. Berisha pranoi se Policia Rrugore ka pjesë palcore në veprimtarinë e saj për të parandaluar aksidentet, por problemi është shumë më i gjerë se sa rrezja e veprimit apo kompetencave të saj. Ai theksoi se në shumë raste përgatitja e atyre që marrin lejet e drejtimit të automjetit është informale. Bilancet e vdekjeve në rrugë nga aksidentet u ngjajnë raportimeve të luftës, mbi 300 të vdekur dhe rreth 1200 të plagosur, prej të cilëve 300 me dëmtime serioze për jetën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›