E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALUIZNI, gati procesi i legalizimit në Plazh

28/02/2010 Durrës, 400 ish-pronarë në pritje të nisjes së procesit. Janë ngritur 3200 objekte

DURRES- Objektet e banimit, pallatet, bizneset private dhe gjithçka tjetër e ndërtuar në lagjen numër 13, në Plazhin e Durrësit do të nisë me fillimin e javës tjetër nga procesi i verifikimit në terren të ndërtimeve pa leje. Plazhi është zona numër 6 dhe është lënë qëllimisht në fund, pasi duke qenë tokë me konflikt të shumta është pritur marrja e një sërë udhëzimeve. Plazhi me një sipërfaqe prej 205 ha ka 3200 objekte të ndërtuara pa leje në bazë të vetëdeklarimeve të qytetarëve dhe formularëve të plotësuar. ALUIZNI në terren do të realizojë matjet, verifikimet e deklarimeve për vërtetësinë e tyre, do të realizojë azhornimin në terren të të dhënave, do të kryhet kufizimi përfundimtarë i zonës 6 të Plazhit dhe do të nisë mbledhja e faturës së shërbimit. Është e para herë që nga përfundimi i fazës së parë të vetëdeklarimit, që specialistët e drejtorisë së ALUIZNI-t në Durrës do të drejtohen të gjithë drejt Plazhit. Edhe pse jo gjithçka është mbyllur në pesë zonat e tjera, forcat dhe potencialet teknike do të kthejnë vëmendjen në Plazh. Procesi është klasifikuar shumë i vështirë për një sërë arsyesh. Për efekt të legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje specialistët do të përshkojnë një hapësirë të madhe në ndërtime. Zona numër 6 e Plazhit nis tek Ura e Dajlanit dhe përfundon tek Përroi i Agait në kufi me Kavajën dhe në një gjerësi nga vija hekurudhore e trasesë Durrës-Rrogozhinë deri në brezin e rërës. Pikërisht në 205 ha sipërfaqe janë plotësuar formularët e vetëdeklarimit për 3200 objekte të shumëllojshme. Ato janë objekte përdhese dhe disakatëshe të ndërtuara në 20 vitet e fundit dhe sidomos pas vitit 1995.

Problemet

Plazhi në kuadër të procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje parqet një sërë vështirësish. Me to do të përballet drejtoria e ALUIZNI-t në Durrës për t’i dhënë fund informalitetit të ndërtimeve përgjatë bregdetit tashmë të betonuar të vijës bregdetare të përfshirë nën juridiksionin e Bashkisë së Durrësit. Tashmë në Plazh, Plepa, Shkëmbi i Kavajës dhe deri tek Përroi i Agait nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të lirë për kompensim apo ndërtim objektesh. Kreu i ALUIZNI-t, Andi Lila, ka thënë se zona e Plazhit ka pronarë të vjetër në një sipërfaqe të konsideruar. “Janë më shumë se 400 pronarë e trashëgimtarë prone që kanë fituar të drejtën e pronës së trashëguar, por që fare pak prej tyre kanë mundur ta trashëgojnë”,-tha Lila. Mbivendosja dhe zgjidhja e këtij ngërçi është “thembra e Akilit”, pasi nuk do të mund të realizohet certifikimi i pronës për ndërtimin pa leje pa një kompromis me ish-pronarët që banojnë në Plazh dhe që kanë ndërtime aty. ALUIZNI do të marrë në konsideratë studimin urbanistik të KRRTRSH-së së vitit 2006 dhe do të ecë në vija të trasha në gjurmët e këtij studimi bazë. Nga mbi 400 trashëgimtarë të pronës vetëm fare pak prej tyre kanë regjistruar në hipotekë pronën. Sipas drejtorit Lila, kjo sipërfaqe toke u është njohur, por përfituesit kanë lënë në rrugë veprimet duke mos i shkuar deri në fund procesit të regjistrimit. Veç këtij problemi, shqetësim mbetet konflikti mes trashëgimtarëve të pronave në Plazh, të cilët janë në procese gjyqësore. Por ALUIZNI ka informacione e pikërisht në ato njolla toke të diskutuara persona të ndryshëm duke përdorur forcën dhe pushtetin e presionit kanë ndërtuar objekte. Këto objekte janë nga një deri në disa kate, por ka edhe pallate 10-15 e më shumë kate. Pas ndërtimit apartamentet janë shitur dhe janë populluar duke e ndërlikuar zgjidhjen e konfliktit. Nga ana tjetër sot për sot është e pamundur shembja e këtyre pallateve për shkak të kostove shumë të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›