E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindja e Mesme paqe me ekzistencën e dy shteteve

28/02/2010 Ministri i Jashtëm palestinez takon krerët e shtetit shqiptar

Vlerësohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Autoritetit Palestinez

Vendosja e paqes në Lindjen e Mesme ka qenë në qendër të bisedimeve që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje me ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki. Kreu i Qeverisë shqiptare nënvizoi se Shqipëria vlerëson se zgjidhja më e drejtë e konfliktit është ekzistenca e dy shteteve Palestinë dhe Izrael, e cila do të krijojë bazat më të mira për një paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Berisha ka shprehur dhe një herë mbështetjen e Shqipërisë për çdo përpjekje të zgjidhjes së çështjes së paqes në Lindjen e Mesme, nëpërmjet dialogut dhe negociatave, duke theksuar se kishte bindjen se me përpjekjet e autoriteteve të të dy vendeve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar do të arrihej një zgjidhje afatgjatë, në interes të paqes dhe prosperitetit të të dy vendeve mike. Nga ana e tij ministri Al-Maliki falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë zhvillimit të vendit të tij dhe procesit të paqes në Lindjen e Mesme, në dobi dhe të paqes globale. Gjatë vizitës së tij, ministri i Jashtëm palestinez ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta, me të cilin ndau vlerësimin për marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Autoritetit Palestinez. Sipas MPJ-së, të dy palët shprehën gjithashtu vullnetin për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore. Shefi i diplomacisë shqiptare nënvizoi mbështetjen e Shqipërisë për përpjekjet e Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe të komunitetit ndërkombëtar për krijimin e shtetit palestinez, duke mbajtur në vijimësi qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar për krijimin e dy shteteve, me qëllim vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme.

Takimi me Topin dhe Topallin

Ministri i Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad Al-Maliki, është pritur në një takim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit vuri në dukje nivelin pozitiv të marrëdhënieve të vendit tonë me Autoritetin Kombëtar të Palestinës, si dhe të bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Presidenti Topi shprehu dhe një herë mbështetjen parimisht të shtetit shqiptar të çdo përpjekjeje të zgjidhjes paqësore, të qëndrueshme dhe afatgjatë të konfliktit izraelito-palestinez dhe situatës në Lindjen e Mesme, nëpërmjet bisedimeve dhe negociatave. Gjithashtu, ministri Al-Maliki është pritur edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›