E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kërkon qetësi, Rama ndëshkim

Menjëherë pasi mori
njoftimin për shembjen
e pallatit në Gjirokastrës,
Kryeministri Berisha zhvilloi
dje një vizitë urgjente në këtë
qytet, ku ndoqi nga afër situatën e
krijuar në lagjen "11 Janari". Në një
deklaratë për mediat, Berisha e
konsideroi si "problemin më madhor
në këtë ngjarje, problemin e
personave që kanë mbetur nën
rrënoja, për të cilët ndërhyrja në të
gjitha aspekte është e rrezikshme".
Duke informuar mbi disa
masa që ishin marrë deri në momentin
që ai ndodhej në
Gjirokastër, Kryeministri tha se "po
ndihmohen të plagosurit dhe po
merren masat për sistemimin e
familjarëve që kanë humbur strehimin".
Sipas tij, "po vazhdohet
me insistim për të gjetur rrugët më
shpëtuese të mundshme për ata
që janë nën rrënoja". "Nuk është
ende e qartë se sa persona janë
nën rrënoja. Mund të jenë 3, mund
të jenë 5, ose edhe më shumë,
sepse punëtorët e firmës janë larguar,
por mjetet janë nën rrënoja
dhe kërkimi i tyre i mëtejshëm do
të qartësojë të gjithë dramaticitetin
ose përmasat e kësaj ngjarjeje
shumë të rëndë", tha Berisha. Ai
shtoi se "gjeologët do të japin disa
vlerësime mbi mundësinë për shkarje
të mëtejshme të dheut, në
mënyrë që të përcaktohet edhe
më qartë se çfarë operacionesh
duhet të ndërmerren. Ka një solidaritet
shumë të madh njerëzor,
por natyrisht qeveria do të bëjë
çdo përpjekje që të mund të zgjidhen
problemet më të mprehta", u
shpreh Kryeministri. Gjithashtu, ai
siguroi se "ka filluar një hetim i
plotë për të nxjerrë të gjitha
përgjegjësitë për këtë ngjarje
tragjike, e cila ka tronditur të gjithë
Gjirokastrën dhe Shqipërinë".
Dje, në Gjirokastër ka shkuar edhe
kreu i opozitës, Edi Rama. Në një
deklaratë për mediat, ai vuri theksin
te rëndësia e ndëshkimit të
përgjegjësve për këtë ngjarje të
rëndë. Kryetari i Partisë Socialiste
e cilësoi shembjen e pallatit në
Gjirokastër si "një ngjarje të rëndë"
dhe tha se "drejtësia shqiptare
duhet të veprojë me gjithë forcën
e saj për të ndëshkuar shkaktarët".
Sapo mbërriti në Gjirokastër,
Rama u takua me deputetin e këtij
qyteti, Genc Ruli, me prefektin
Spiro Ksera dhe me këshilltarin e
Kryeministrit për çështjet vendore,
Ylli Asllani. "Sistemi i drejtësisë
duhet të veprojë urgjentisht
që fatkeqësi të tilla të mos ndodhin
më", tha Rama në një prononcim
për median. Në këtë vizitë, kryetari
i PS-së shoqërohej nga sekretari
organizativ i kësaj partie,
Gramoz Ruçi dhe nga kryetari i
Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur
Bime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›