Ministrat e BE, vendosin sot për EULEX
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e sotëm në Bruksel pritet të japin sinjalin për bërjen funksional të EULEX-it në Kosovë në dhjetor, njoftoi për median në Prishtinë Kristina Gallak, zëdhënëse e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Havier Solana. "Mund të them se ministrat e BE-së, do të takohen të hënën dhe do të japin një sinjal shumë të qartë që EULEX-i të bëhet funksional në dhjetor. Kjo për ne është shumë e rëndësishme, po punojmë shumë për këtë dhe jemi të bindur se kjo do të ndodhë", deklaroi Gallak, në një intervistë në Televizionin Publik të Kosovës. "Ajo që dua të them shumë qartë është se në çdo moment kontaktet mes Bashkimit Evropian po vazhdojnë, madje edhe në këtë moment, dhe EULEX-i po ecën para në zbarkimin e vet, me qëllimin që të bëhet funksional shumë shpejt" tha ajo. Gallak theksoi se "fuqizimi i sundimit të ligjit dhe fuqizimi i institucioneve multietnike është në interes të të gjithëve, natyrisht në interes të popullit të Kosovës, por edhe të komunitetit serb dhe të Serbisë". Sipas mediave kosovare, sot në Bruksel ministrat e Jashtëm të BE-së pritet "të përshëndesin përgatitjet për vendosjen e misionit të EULEX-it dhe të bien dakord që personeli i këtij misioni të dislokohet në dhjetor të vitit 2008 për të ushtruar mandatin e tij". Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, u nis drejt Nju Jorkut, ku do të jetë i pranishëm në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit, e cila do të mbahet më 11 nëntor. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit është mbledhje periodike, në të cilën raportohet për Kosovën. Formati i mbledhjes së 11 nëntorit ende nuk është bërë publik, ashtu sikurse nuk dihet ende nëse përpos raportit të UNMIK-ut për Kosovën, do të ketë apo jo fjalë të tjera, njofton Zyra për informim e MPJ-së.
Nëse formati zyrtar i mbledhjes e lejon këtë, sipas MPJ-së, ministri Hyseni është i gatshëm të marrë fjalën në këtë mbledhje. Fjala e tij do të përqendrohet kryesisht në zhvillimet dhe progresin e Kosovës në të gjitha fushat, në periudhën mes dy mbledhjeve të fundit të Këshillit të Sigurimit.
Nëse formati zyrtar i mbledhjes e lejon këtë, sipas MPJ-së, ministri Hyseni është i gatshëm të marrë fjalën në këtë mbledhje. Fjala e tij do të përqendrohet kryesisht në zhvillimet dhe progresin e Kosovës në të gjitha fushat, në periudhën mes dy mbledhjeve të fundit të Këshillit të Sigurimit.