E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Brendshme: Evakuuam 15 persona

Menjëherë pas ngjarjes së
rëndë, ka reaguar dje Ministria
e Brendshme, e cila ka publikuar
informacionet paraprake të
saj dhe masat e marra për ndihmë
të menjëhershme. "Në orën
11:55, salla operative e policisë
së Gjirokastrës mori njoftim se
pjesë të një ndërtese në lagjen
"11 Janari" po shembeshin. Në
vendngjarje kanë mbërritur menjëherë
dhe kanë ndërhyrë Forcat
e Ndërhyrjes së Shpejtë të stacionuar
aty pranë, në aksin e autostradës
Gjirokastër-Kakavijë,
duke bërë të mundur evakuimin
e banorëve të pallatit, dhënien e
ndihmës së parë dhe transportimin
e tyre drejt spitalit të qytetit",
deklaroi zëdhënësi i Ministrisë
së Brendshme, Fatmir Konja.
Më tej, ai shpjegoi se nën
drejtimin e prefektit të Qarkut, ka
filluar menjëherë funksionimi i
shtabit lokal të emergjencës. "Në
vendngjarje kanë mbërritur menjëherë
zëvendësministri i
Brendshëm, Ferdinand Poni,
drejtori i Përgjithshëm i Policisë
së Shtetit, Ahmet Prençi, drejtori
i Përgjithshëm i Emergjencave
Civile, Alfred Olli, si dhe specialistë
të tjerë të emergjencave civile.
Gjatë operacionit të kërkimshpëtimit
është bërë i mundur
evakuimi 15 banorëve, 4 prej të
cilëve kanë pasur nevojë për ndihmë
mjekësore. Momentalisht
rezultojnë ende të pagjetur 3 persona.
Nga hetimet paraprake
mendohet që ngjarja e rëndë të
jetë shkaktuar si rezultat i punimeve
që po kryheshin në afërsi
të këtij pallati banimi, si pasojë e
të cilave është shkaktuar rrëshqitja
e dheut nën themelet e pallatit",
deklaroi Konja, në një konferencë
për shtyp, duke shtuar se
forcat e policisë kanë shoqëruar
drejtues të punimeve të firmës
"Arti shpk", njëri prej të cilëve në
afërsi të pikës së kalimit kufitar
Kakavijë, në tentativë për t‘u larguar
nga Shqipëria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›