E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ligjeve diskuton të mërkurën ligjin për hapjen e dosjeve



Komisioni Parlamentar i Ligjeve pritet të mblidhet ditën e mërkurë për të diskutuar një nga ligjet më të debatuara siç është ai për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të shtetit. Burime nga Parlamenti kanë bërë të ditur se ky ligj pritet të diskutohet ditën e mërkurë. Deputetët demokratë janë shprehur të vendosur për ta miratuar këtë ligj brenda muajit shtator. Nga ana tjetër ata kërkojnë bashkëpunimin dhe konsensusin e opozitës, në mënyrë që ligji të mos kalojë në Kuvend vetëm me votat e maxhorancës. Vetëm pak ditë më parë relatori demokrat në Komisionin e Ligjeve, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, u shpreh se në rast se opozita nuk e miraton ligjin, atëherë maxhoranca do të votojë e vetme për të, në mënyrë që ky ligj të mos arkivohet sërish. Nga ana tjetër, socialistët kundërshtojnë në disa pika draftin integral të punuar nga Bumçi. Ata e cilësojnë këtë një ligj lustracioni, i cili është zbatuar njëherë në Shqipëri në vitin 1995-1996. Sipas relatorit të PS-së në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Arben Isaraj, PS-ja është për të hapur të gjitha arkivat e komunizmit dhe jo për të miratuar një ligj të ri lustracioni, i cili e ka përfunduar misionin e tij. Pritet që ditën e mërkurë palët të rikonfirmojnë qëndrimet e vjetra mbi këtë çështje, ose të bëjnë të ditura qëndrimet e reja.

Topalli viziton ekspozitën për 80-vjetorit të Mbretërisë shqiptare: “Mbreti Zog, lider vizionar”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka marrë pjesë dje në ekspozitën e çelur me rastin e 80 -vjetorit të Mbretërisë Shqiptare, e para e këtij lloji në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet Topalli ka vlerësuar figurën e mbretit Zog, duke e cilësuar atë si një lider vizionar për vendin në atë kohë, i cili kishte si model Ataturkun. “Ishte një njeri vizionar, që ëndërronte një Shqipëri moderne. Besoj se modeli i tij ishte modeli i Ataturkut shqiptar. Në kuptimin e sotëm dhe në artikulimin e sotëm besoj se ishte një lider i vërtetë, i admirueshëm për reformat që bëri, për mendimin modern dhe aplikimin me kurajë të idesë së një shteti modern shqiptar që për atë kohë ishte jashtëzakonisht e vështirë. Është ndoshta historia e parë e gjithë historisë së shtetit shqiptar që vlen për t’u studiuar në të gjithë gjerësinë e saj, qoftë nga pikëpamja që unë e shoh si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë: për ligjet që janë bërë, për Kushtetutën, kodet, qarkoret, për të gjithë bazën legale mbi të cilën u ngrit shteti shqiptar për të cilin merita kryesore, absolutisht, në ato vite është e mbretit Zog”, - është shprehur Topalli. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm anëtarë dhe të afërm të Familjes Mbretërore, historianë, personalitete të kulturës, studiues shqiptarë e të huaj. Ekspozita përmban foto nga jeta e familjes mbretërore, sende nga Pallati Mbretëror, veshje të ruajtura nga ajo periudhë e mjedise të improvizuara me orendi të Pallatit Mbretëror.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›