Berisha komenton raportin për investimet e huaja. Flet dhe për rekordin e notit
Kjo është një histori që do e dëgjojmë shpesh. Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur qeverinë për të folur për raportin e një agjencie të OKB, që thotë se Shqipëria është vendi i dytë në Europën Juglindore për tërheqjen e investimeve të huaja.
Shqipëria në vitin 2010 rezulton se ka patur 1 miliard e 97 milion dollarë investime direkte të huaja. Kjo përbën një arritje shumë të madhe në përpjekjet e shqiptarëve për të realizuar projektin e tyre më të madhe të të gjitha kohërave Shqipëria, vend i zhvilluar. Në pesë vite të marra së bashku, nga viti 2006 deri në vitin 2010, investimet e huaja direkte në Shqipëri ishin mbi 4 miliard dollarë.
Njëri nga premtimet më themelore tonat ishte të ngrinim Shqipërinë në vendin më tërheqës për investimet e huaja në rajon e më gjerë. Sot kjo është realitet. Shqipëria është i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja. Në rast se në vendet e tjera, investimet kanë pësuar rënie, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, tha Berisha.
Kryeministri tha se Shqipëria ka shënuar një revolucioni industrial.
Shqipëria përpara vitit 1990 i kishte të ndaluara me Kushtetutë investimet e huaja. Po të krahasojmë indeksin e performancës së investimeve me vitin 2004, del se Shqipëria ka fluturuar. Por nuk duhet të krahasohemi me ato vite që nuk meritojnë krahasim. Këto investime janë kryesisht në industrializimin e vendit. Shqipëria po përjeton një revolucion industrial me teknologjinë më të avancuar.
Kryeministri Berisha tha se urbanizmi i vendit do arrihet pas dy dekadash.
Shqipëria është i vetmi vend që në këtë periudhë krize madhore ka shënuar rënie të papunësisë. Sigurisht një vend që ka 50 përqind të popullsisë së vet në fshat do të duhej ndoshta edhe dy dekada për të arritur raporte normale të urbanizimit të tij, çka do të thotë edhe për dy dekada, qytetet dhe zonat industriale të vendit do përballen me flukse shtesë të krahut të punës të ardhur nga zonat rurale, tha Berisha.
Më pas kryeministri foli për hidrocentralet, që kanë qenë një dështim i vërtetë, edhe pse Berisha i përllogarit si investime të huaja.
Qeveria ka vendosur brenda 2 vitesh kontratat për 220 hidrocentrale. Shqipëria me kuadrin e saj të favorshëm ligjor ia doli të dëshmohet si vend miqësor ndaj investimeve dhe investitorëve të huaj, tha Berisha.
Më pas Berisha tha se në Tiranë, edhe pse aty jetojnë e punojnë 1/3 e shqiptarëve, nuk është folur për investime të huaja në 11 vite. Kjo duket paradoksale, pasi nuk dihet se ku kanë shkuar këto investime të huaja kur kanë ardhur në Tiranë.
Në 11 vite qytetarët e Tiranës nuk kanë dëgjuar asnjëherë fjalën investime të huaja. Kryetari i ri i bashkisë dhe ekipi i tij kanë të gjithë vullnetin dhe potencialet për të shndërruar bashkinë e Tiranës në një lokomotivë të tërheqjes së investimeve të huaja, tha Berisha.
Ai komentoi edhe protestat e opozitës.
Protestat kanë pasur një ndikim negativ në Tiranë. Megjithatë, ajo që është themelore është se ato nuk kanë arritur të tkurrin besimin e investitorëve të huaj tek Shqipëria. 4 miliard dollarë investime në këtë hark kohor të shkurtër kanë vlerën morale të 40 miliard dollarëve. Shqipërisë i besojnë, tha Berisha.
Në fund, nuk mund të rrinte pa folur për rekordin e notit kryeministri Berisha.
Unë nuk jam ndër notarët më të shquar. Nuk ia lë dot kupën e notit Sali Berishës së vitit 2010. Në 2011 e fitova garën e re. Kur dola nga uji, e pashë që mund të kisha qëndruar edhe një orë tjetër. Majlinda, kësaj herë deti mu duk si qilim notues. E mbylla me pak më shumë se koha që deklarova. Nuk kisha ndërmend ta bëja publike. Por kur mora celularin, pashë serinë e mesazheve urime për rekordin e ri. Unë i mbylla pushimet. Ky ishte elementi më i rëndësishëm i pushimeve, tha Berisha.