Hosni Mubarak del përpara gjyqit me barelë
Ish- presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, i cili i dëbua nga pushteti në shkurt, ka dalë përpara gjykatësve. Në sallën e akademisë së policisë, ku do zhvillohet gjyqi, ai mbërriti në barelë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Ai akuzohet për korrupsion dhe për urdhërimin e vrasjes së protestuesve- një akuzë që mund ta çojë atë drejt dënimit me vdekje.
Qindra kundërshtarë të tij ishin mbledhur përpara vendit ku do mbahej gjyqi.
Gjithashtu në gjyq ishin edhe dy djemtë e tij, Ala dhe Gamal si dhe ish- ministri i Brendshëm.
Rreth 3 mijë policë u angazhuan për të ruajtur rendin jashtë akademisë së policisë.
83 vjeçari Mubarak fluturoi në Kajro nga një spital në Sharm El Sheik, ku po kurohej për probleme në zemër. Ai mbërriti në sallë në barelë dhe menjëherë u vendos brenda një kafazi.
Korrespondenti i BBC thotë se të gjithë janë të shokuar nga ky moment. Sipas tij, askush nuk priste të shihte një gjë të tillë.