Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefan Fyle: Ngërçi politik të marrë zgjidhje para 8 majit- opozita të kontribuojë për zgjedhjet

Përmes një konference për shtyp, komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, ka deklaruar se mos marrëveshjet politike vonojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duke i bërë thirrje të dy krahëve politik që të gjejnë rrugën e kompromisit, Fyle tha se procesi elektoral i 8 majit është tregues vendimtar për integrimin evropian të vendit. “Ngërçi politik duhet të zgjidhet, kjo është një përgjegjësi e perbashkët e të dy palëve. Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të veprojnë dhe të përfaqësojnë popullin. Marrja në konsiderat e prioriteteve, pasojat e krizë politike dhe ngërçi politik pengojnë reformat për progresin në BE”- u shpreh Fyle. Kjo ishte deklarata e Komisionerit për Zgjerimin Europian Fyle, i cili erdhi në Tiranë në një përpjekje për të arritur një dialog konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Duhet dialog konstruktiv mes palëve dhe ta çojnë Shqipërinë drejt rrugës për në BE. Duhet t’i inkurajoj të gjitha palët dhe me konsensus për zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente”- tha Fyle duke vënë në dukje ndihmën e ndërkombëtarëve, si dhe rolin e 12 rekomandimeve, të cilat duhet të përmbushen nga institucionet shqiptare. “Bashkëpunimi konstruktiv mes partive për implementimin e propozuar është celësi i suksesit për t’i dhënë fund ngërçit”- tha Fule. Ndërkaq, Fyle vlerësoi gadishmërinë e përfaqësuesve politike, por në të njëjtën kohë theksoi me shkronja të mëdha se nëqoftëse nuk gjendet një zgjidhje, Komisioni nuk do të dijë të vlerësojë dhe kjo do të çojë që Shqipëria të mbetet prapa nga fqinjët për në BE.
Berisha, Fyle: Qeveria, angazhim maksimal për 8 majin, presim që opozita të reflektojë
Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim Komisionerin e BE-së për Zgjerimin z. Stefan Fule, i cili ndodhet në Tiranë me rastin e Seminarit të përbashkët Shqipëri – KE për Planin e Veprimit që institucionet shqiptare kanë përgatitur në vijim të 12 rekomandimeve të ardhura pas Opinionit të KE-së. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fyle për mbështetjen që Komisioni Europian i ka dhënë e po i jep qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në përpjekjet për të ecur përpara me shpejtësi drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Kryeministri vlerësoi se edhe Seminari që po zhvillohet këto dy ditë në Tiranë mbi Planin e Veprimit është një rikonfirmim i qartë i kësaj mbështetje. Më tej, Kryeministri Berisha theksoj se anëtarësimi në Bashkimin Europian është dhe mbetet projekti më madhor i këtij shekulli për Shqipërinë dhe se qeveria është e vendosur, e angazhuar, dhe po punon me të gjitha forcat për të përmbushur të gjitha kriteret, kërkesat e standardet që kërkon ky proces. Komisioneri Fyle e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe për mbështetjen dhe angazhimin aktiv të qeverisë për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e Seminarit në shërbim të përmbushjes së 12 rekomandimeve, si një shenjë e qartë e angazhimit të qeverisë në këtë proces. Komisioneri Fyle i ripohoi Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për realizimin e të gjitha reformave që kërkon anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE. Në takim u diskutua që Seminari i sotëm të pasohet nga konsultime dhe evenimente të tjera kontakti midis Shqipërisë dhe BE-së me qëllim ndjekjen dhe realizimin e prioriteteve të përcaktuara nga komisioni në Opinionin e tij. Seminari do të konkludojë në një sërë masash afatshkurtra e afatmesme për përmbushjen e të 12 kërkesave të Opinionit dhe kërkesave të tjera të lidhura me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha e falënderoi Komisionerin Fyle dhe bashkëpunëtorët e tij për bashkëpunimin proaktiv të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e të gjitha kërkesave të këtij procesi dhe i rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Evropian dhe të gjitha institucionet e BE-së për adresimin e 12 rekomandimeve dhe të gjitha çështjeve të tjera të lidhura me procesin e integrimit, në çdo forum apo nëpërmjet çdo instrumenti bashkëpunimi të përcaktuar bashkarish. Në takim u diskutua, gjithashtu, edhe mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, si dhe rëndësia që ato kanë për ecurinë e mëtejshme në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri i rikonfirmoi Komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent dhe për të bërë çdo përpjekje për realizimin e zgjedhjeve më të mira konform standardeve ndërkombëtare. Kryeministri uroi që edhe opozita të shprehë të njëjtin nivel vullneti politik pozitiv në procesin zgjedhor.
Vizita e përfaqësuesit të lartë të Brukselit: Do adresojë përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fyle, po zhvillon një vizitë dy ditore në Shqipëri, ku pritet të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Lajmi për mbërritjen e Fyles në Tiranë, u dha nga dje vetë zëdhënësja e BE-së, Natasha Butler, në një konferencë për shtyp në Bruksel. Zëdhënësja e Komisionerit Fyle, Natasha Butler deklaroi dje se “Fyle do të shkojë në Shqipëri nesër, do vizitojë Shqipërinë për të adresuar 12 pikat e domodoshme për tu plotësuar nga Tirana në një seminar”. “Një seminar i tillë u mbajt edhe në Malin e Zi për të adresuar shtatë pikat që i kemi vendosur Podgoricën dhe këtë do të bëjmë edhe për Shqipërinë. Qëllimi i vizitës është që të nxisim zbatimin e reformave, dhe kjo nuk është e mundur pa dialog konstrukitv u shpreh zëdhënësja Butler. Komisioneri Fule do të nënvizojë këtë për të ndihmuar që të ndërtohet besimi mes partive politike. Shqetesimet kryesore i kam shjpeguar disa herë që nga 21 janari. Zgjidhja e krizës, vendosja e axhendës së BE duke përfshirë nevoja për dialog të përgjegjshëm mes mazhorancës dhe opozitës dhe përgatitja e zgjedhjeve lokale që të jenë transparante. Kjo është kryesore për të ardhmen e Europiane të Shqipërisë”- tha ajo.