Berisha, konsulta me akademikë për reformat që do të ndërmerren
Kryeministri Berisha kërkoi në mbledhjen e djeshme nga anëtarët e qeverisë të programojnë në axhendën e punës së tyre organizimin e konsultave të gjera me shoqërinë civile, botën akademike dhe grupet e interesit për të gjitha reformat në fushat e tyre. Duke fokusuar vëmendjen e qeverisë mbi këtë çështje të rëndësishme, kryeministri Berisha tha në hapje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se një seri reformash për lehtësimin e klimës së biznesit, në fushën e privatizimit, dixhitalizimit të procedurave në arsim, në shëndetësi, në fushën sociale, në kulturë dhe reforma në institucionet e mjedisit janë në proces e sipër. “Reformat janë perpetua mobile e shoqërisë sonë. Në traditën më të mirë të qeverisë janë konsultat e hapura me të gjithë faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që në programin dhe në axhendën tuaj të parashikoni konsulta në tërësi për të gjitha problemet që vendosen në këtë mbledhje për të gjitha reformat që ne ndërmarrim”, - u shpreh kryeministri. Kreu i qeverisë këshilloi vartësit e tij që në konsulta duhet të përfshijnë grupet e interesit, të cilat, për shkak të profilit të tyre, kanë një ekspertizë të shkëlqyer. “Konsultat duhet të përfshijnë detyrimisht qarqet akademike të vendit. Në asnjë rrethanë nuk duhet të shkëputemi nga mendimi akademik, në asnjë rrethanë nuk duhet të shkëputemi nga vështrimi kritik i mendimit akademik, nga oponenca e tij, e cila është e domosdoshme”, - tha Berisha.
4 Mars 2010