E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligori: “Në Ministrinë e Drejtësisë, 20 specialistë të kualifikuar zëvendësohen me militantë të qeverisë”



Deputetja e Partisë Socialiste, Shegush Ligori, ka denoncuar dje sjelljen e qeverisë kundrejt specialistëve në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas saj, 20 specialistë të kualifikuar janë larguar nga puna me motivin se po bëhen reforma në ristrukturimin e institucionit, por në fakt janë zëvendësuar me militantë të PD-së. Ndërkaq, Ligori bëri me dije se me miratimin e kundërligjshëm të Departamentit të Administratës Publike, në këtë ministri po mbahen në punë me kontrata të përkohshme 12 punonjës.
“Nxjerrja e specialistëve në fjalë në listën e pritjes i kushton taksapaguesve shqiptarë 21 milionë lekë në vit. Kjo gjendje paligjshmërie bëhet edhe më dramatike teksa përditë dalin në dritë fakte të provuara se ministri Nishani filloi, të nesërmen e largimit të tyre, rekrutimin e nëpunësve të rinj me kontrata të përkohshme individuale”, - u shpreh Ligori, duke shtuar: “Me një fjalë, specialistët i përzunë me përdhunë nga dera, kurse rishtarët i futën nga dritaret. Nisur nga pozicionet e rëndësishme ku ata po emërohen, rezulton që tash e tutje, fatet e ligjbërjes, të kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe të inspektimit të prokurorisë do të jenë në duart e militantëve pa përvojë”. Gjithashtu, sipas deputetes Ligori, qeveria po mbështetet edhe miratimin servil, antiligjor dhe të turpshëm të Departamentit të Administratës Publike, që paguhet me paratë tona pikërisht për të mbrojtur e garantuar funksionimin e një administrate profesionale, të qëndrueshme dhe jopolitike. “Kjo kundërreformë ka pas një faturë financiare për buxhetin e boshatisur të qeverisë që, pasi vodhi votat, nuk e ka për turp të zhvatë edhe qindarkën e fundit nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë”, - tha Ligori.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›