E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton hapjen e disa ambasadave shqiptare në shtete të ndryshme



Qeveria miratoi në mbledhjen e djeshme hapjen e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, në Republikën e Sllovakisë, të Bosnjë-Hercegovinës, në shtetin e Katarit, të Kuvajtit dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryeministri Berisha bëri të ditur se përfaqësi të reja diplomatike të Shqipërisë do të hapen edhe në një seri vendesh të tjera si në Meksikë, në Afrikën e Jugut, Australi, Norvegji, Estoni dhe Pakistan.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet për reformën në shërbimin e jashtëm të Shqipërisë, të ndërmarrë nga Ministria e Jashtme, duke e konsideruar atë shumë serioze. “Duke racionalizuar burimet, është bërë e mundur që vendi të ketë një përfaqësim më të gjerë, sepse Shqipëria ka nevojë të ketë përfaqësuesit e saj. Natyrisht, për ne është e vështirë t’u përgjigjemi nevojave të mëdha që ne vetë kemi për të pasur përfaqësues, por përpiqemi të zgjerohemi”, - është shprehur Berisha. Gjatë mbledhjes, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Jashtme të sjellë javën e ardhshme në qeveri vendimin për heqjen e vizave për të gjithë turistët që zbresin në brigjet Dalmate dhe në Malin e Zi. Kryeministri tha se duhet regjim i njëjta vizash me këto vende, në mënyrë që turistët të mos kenë nevojë për vizë në kufi, por të jetë një tur turistik në vazhdimësi për ta, gjatë periudhës së verës.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›