E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: “Prokuroria po zvarrit hetimin e zgjedhjeve për shkak të presionit të PD-së



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka akuzuar dje Partinë Demokratike se po ushtron presion mbi Prokurorinë për të mos hetuar procesin zgjedhor. Ai është shprehur gjatë një deklarate për shtyp se pas pesë muajsh që PDK-ja ka bërë padinë në Prokurorinë e Shkodrës për tri qendra votimi ku manipulimi i zgjedhjeve ka qenë në masë të lartë, ende nuk ka asnjë përgjigje nga ky institucion. Madje Ndoka ka shtuar se prokurorët e Shkodrës kanë kërkuar informacion nga KQZ-ja për të hapur të paktën tri kuti votimi, por kjo u është mohuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Kreu i demokristianëve akuzon kryeministrin Berisha dhe partinë që ai drejton për ushtrimin e presionit ndaj Prokurorisë dhe moslejimin e KQZ-së që të kryejë funksionin e saj kushtetues.
Akuzat
“Ne tashmë disponojmë informacione se prokurorët e çështjes, të vënë përballë presionit të gjithanshëm të pushtetit, po e zvarrisin çështjen pafundësisht, duke mos dhënë asnjë përgjigje për denoncimin e Partisë Demokristiane. Ne kemi informacione se KQZ-ja ka refuzuar të vërë në dispozicion të prokurorëve tri kutitë e votimit të qendrave të denoncuara prej nesh, ku mbahen të mbyllura dëshmitë e pakundërshtueshme për vjedhjen e votës. Ky refuzim i KQZ-së për t’iu bindur kërkesës së Prokurorisë tregon se pushteti i kryeministrit Berisha po del jashtë kontrollit dhe po e vendos veten mbi institucionet dhe ligjet e shtetit, çka përbën një ogur shumë të keq për vendin”, - është shprehur Ndoka. Ai ka shtuar se “Partia Demokristiane e ka konsideruar dhe e konsideron hetimin e zgjedhjeve dhe ndëshkimin e personave përgjegjës të implikuar në procesin e manipulimit të votave të qytetarëve si të vetmen rrugë për nxjerrjen e vendit nga kriza politike, por edhe si një garanci se procesi i turpshëm i manipulimit të votave të marrë fund dhe në të ardhmen të jemi të aftë të zhvillojmë zgjedhje të lira, siç zhvillohen në të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s ku ne jemi anëtar”. Ndoka më tej i bëri thirrje Prokurorisë së Shkodrës të kryejë funksionet e saj kushtetuese dhe të zbatojë ligjin, duke hetuar dhe ndëshkuar fajtorët e manipulimit të zgjedhjeve. “Në të kundërt, PDK-së dhe partive opozitare nuk u mbetet rrugë tjetër vetëm të fillojnë protestat qytetare për të larguar një pushtet që nuk njeh as ligje, as kushtetutë, as institucione dhe as të drejta qytetare dhe njerëzore”, - është shprehur kreu i demokristianëve.
Nisma
Në fillim të fjalës së tij Ndoka shprehu shqetësimin për zvarritjen e hetimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit nga Prokuroria e rrethit Shkodër. Ai bëri të ditur se PDK-ja, pas përfundimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, ku u vërejtën manipulime dhe deformime të rezultatit, bëri ekspertizën e procesit të numërimit të votave duke iu referuar kamerave filmike që kishin regjistruar procesin. “Nga ekspertiza jonë rezultuan shkelje skandaloze në pothuajse të gjitha qendrat e numërimit të votave, shkelje që çuan në grabitjen e dhunshme të mandatit të deputetit të PDK-së dhe dhurimin e një mandati për PD-në. Ne, duke respektuar institucionet dhe legjislacionin e vendit, depozituam pranë Prokurorisë së Shkodrës denoncimin me provat e pakundërshtueshme për manipulimin e rezultatit zgjedhor dhe kërkuam nga Prokuroria që të hetojë çështjen dhe të vërë para drejtësisë personat përgjegjës. Kanë kaluar më shumë se pesë muaj prej denoncimit tonë dhe Prokuroria, në vend që të hetojë në përputhje me ligjin dhe të çojë para përgjegjësisë personat e implikuar, vazhdon ta zvarrisë çështjen, duke u treguar e paaftë që të kryejë funksionet e saj kushtetuese”, - është shprehur Ndoka. Ai shtoi se kriza politike në vend vjen si rezultat i manipulimit të zgjedhjeve.

Votat e shtuara në KZAZ-të e Shkodrës, në favor të PD-së

Në KZAZ-në Nr. 40, që i përket qytetit të Shkodrës dhe që është KZAZ-ja më pak e manipuluar, rezulton që PD-ja të ketë shtuar në gjithë qarkun e Shkodrës rreth 9 mijë vota në favor të saj, pra një mandat deputeti. Nëse marrim KZAZ të tjera, si ajo me numër 42, që i përket periferisë apo zonës së Pukës dhe e konsiderojmë si mesatare, atëherë shifra mund të jetë mbi 12 mijë vota. Në Qendrën e Votimit Nr. 0255 në Shkodër, sipas procesverbalit të dorëzuar në KQZ, PD-ja ka marrë 327 vota, kurse sipas rinumërimit që u bë nga kamera, ajo rezulton se ka marrë 273 vota, pra ka një shtesë prej 54 votash në favor të PD-së. Nëse këto shifra merren si maksimumi i manipulimit, atëherë i bie që Partia Demokratike në Shkodër, nëse ka shtuar nga 54 fletë në çdo qendër, mund të ketë shtuar teorikisht rreth 20 mijë vota. Por, nga llogaritë për gjithë KZAZ-të, del se mesatarisht PD-ja ka shtuar rreth 25 vota për qendër votimi, çka e çon në gati 9 mijë vota të vjedhura prej saj në një qark, shifër kjo e mjaftueshme për t’i hequr PD-së një deputet. Eksperti Julian Mema, që ka hetuar CD-në e KZAZ-së Nr. 40 në Shkodër, i shpjegon problemet që ka hasur. Sipas tij, problemi i parë është gjendja pa inventar e filmimit. Në regjistrim mungon numri i qendrës së votimit kur hapet kutia dhe ekspertëve u është dashur ta hetojnë atë nga vula e komisionerit pas fletës së votimit.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›