Berisha niset për në Itali, axhenda e vizitës

Tiranë, 10 Shkurt - Kryeministri Sali Berisha është
nisur sot për një vizitë zyrtare në Itali me ftesë të Kryeministrit të Italisë,
zotit Silvio Berlusconi, njoftoi zëdhënësja Juela Meçani.
Në ditën e parë të kësaj vizite, Kryeministri
Berisha do të jetë i ftuar i nderit në Forumin Ekonomik Italy and South
Eastern Investment Formu i cili zhvillohet në Verona.
Ky është një aktivitet në të cilin Kryeministri
Berisha do të mbajë një fjalë përshëndetëse dhe gjatë të cilit do të takohet me
Ministrin e Ekonomisë të Italisë, zotin Scajola si dhe me përfaqësues të
grupeve të biznesit pjesëmarrëse në këtë forum.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Itali,
Kryeministri Berisha do të zhvillojë takim me Presidentin e Dhomës së
deputetëve të Italisë, zotin Gianfranco Fini në pallatin Montecitorio.
Berisha më pas do ti drejtohet Pallatit
Chigi, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare dhe takimi me Kryeministrin e
Italisë, zotin Silvio Berlusconi.
Gjatë këtij takimi do të nënshkruhet nga dy
homologët dhe Dokumenti i Partneritetit Strategjik.
Në fund të vizitës së tij zyrtare në Itali,
Kryeministri Berisha do të pritet në takim në Campidoglio nga Kryetari i Bashkisë
së Romës, zoti Gianni Alemano.
Ndërsa të shtunën, Berisha pritet të jetë në
Tiranë, pasi në orën 11.00 ai është i ftuar në tryezën e organizuar nga
kryetari i shtetit.
e.r/NOA