Rama në Farkë: Arsimi dhe bujqësia, prioritet
Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në vazhdim të “Dialogut me Shqipërinë” për çështjet e bujqësisë, është ndalur në Komunën e Farkës në Tiranë.
Lideri i opozitës ka kërkuar nga banorët e kësaj zone, që ta ndryshojnë këtë politikë të vjetër, ku politikanët kacafyten me njëri-tjetrin për probleme personale, ndërkohë që i gjithë populli kthehet në një telespektator, që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish.
Sipas Ramës, nëse të gjithë organizohen në një rrjet njerëzish, që e dinë shumë mirë se çfarë kërkojnë, por edhe që janë të gatshëm të mbështetin çdo projekt politik që shkon në drejtim të interesave të veta, atëherë politika e politikanëve do të flasë për hallet dhe shqetësimet e njerëzve.
Kryetari Socialist, ka premtuar, se në rast fitore në zgjedhjet e 2009-ës, dy nga gjërat ku do të fokusohet PS maksimalisht për të ndryshuar rrënjësisht përqasjen, janë arsimi e bujqësia. Për Edi Ramën, duhet bërë çmos, që fëmijët të arsimohen si duhet, kurse fshatit t’i jepet frymëmarrja e nevojshme.
Duke patur pranë një prej personazheve tëspektaklit “Big Bother” Astritin, i cili është bërë anëtar i PS-së të komunës Farkë, Rama u shpreh: “Duhet ta ndryshojmë politikën nga një shfaqje të pambarimtë, si të ishte shtëpia e “Big Brother”, ku politikanët me njëri-tjetrin zihen, sherrosen, kacafyten, bashkohen, ndahen, mallkohen, dhe ku gjithë populli votues kthehet në një telespektator që ndjek historinë e këtij grushti njerëzish, që mban peng historinë tonë të përbashkët, në një hapësirë ku të diskutohet për të zgjidhur problemet tona të përbashkëta”.