Berisha kundër bashkimit Shqipëri-Kosovë. Aleanca Kuq e Zi: Këtë nuk e vendos kryeministri
Gjatë takimit që ka zhvilluar me disa studentë kosovarë gjatë ditës së sotme, kryeministri Berisha ka folur edhe mbi mundësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovës. Ai është shprehur kundër këtij bashkimi, duke thënë se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE.
Interesi më i mirë i shqiptarëve është ruajtja e kufijve ekzistues. Ne jemi një popull i ndarë në mënyrë të padrejtë. Copëtimi i shqiptarëve është një nga aktet më të padrejtë që u është bërë shqiptarëve, por fatmirësisht u korrigjua me çlirimin e Kosovës. Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në BE, nuk mund të rrezikojmë humbjen e territoreve,- deklaroi Berisha.
Pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Aleanca Kuq e Zi, e cila është shprehur se bashkimin nuk e vendos kryeministri, por vetë populli.
Kohën e bashkimit e vendosin shqiptarët, jo kryeministrat. Parimi i vetëvendosjes është për popullin, jo për qeveritë.Shqiptarët janë një komb dhe kanë një të ardhme,- thuhet në një deklaratë të Aleancës Kuq e Zi.