E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha “kyç” garën në PD deri në krijimin e qeverisë së re

Kreu i PD-së synon të ruajë balancat përfaqësuese në parti dhe qeveri

Eljona Ballhysa
Prej disa muajsh lidershipi i Partisë Demokratike vazhdon të mbajë të njëjtat poste, ndonëse u ka përfunduar mandati. Kjo për faktin se zgjedhjet brenda PD-së, që duheshin zhvilluar në fund të muajit prill, u shtynë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Burimet nga selia blu bëjnë të ditur se deri në fund të muajit shtator nuk ka gjasa që të hapet gara për postet drejtuese në PD dhe për rinovimin e mandatit të kryetarit të partisë, nënkryetarëve e sekretarëve të kësaj partie. Burimet gjithashtu pohojnë se kryetari i PD-së nuk do të thërrasë mbajtjen e Kuvendit Kombëtar para krijimit të kabinetit të ri qeveritar. Ndërkaq, pritet që në bazë të posteve që do të ndahen në qeveri, do të zhvillohen dhe zgjedhjet në parti. Çka do të thotë se Berisha do të kërkojë të shpërblejë me poste sa më shumë anëtarë të PD-së dhe pritet që deputetët që nuk do të marrin poste në qeveri, do të marrin poste në parti.
Gara
Zgjedhjet për postet drejtuese të PD-së duhej të ishin zhvilluar që në fund të muajit prill. Në bazë të Statutit të PD-së, zgjedhjet brenda partisë zhvillohen një herë në katër vjet. Zgjedhjet e fundit janë zhvilluar në prillin e vitit 2005. Pra, drejtuesit kryesorë të PD-së prej disa muajsh janë në shkelje të Statutit të partisë. Por, që të zgjidhen drejtuesit e partisë më parë duhet të zhvillohet mbledhja e Kuvendit Kombëtar. Në bazë të Statutit, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar delegatët votojnë për programin qeverisës të PD-së, për ndryshimet në Statut dhe zgjedhin kryetarin e partisë, që në këtë rast pritet të rimandatohet sërish Berisha. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar votohet lista që kryetari i partisë u prezanton delegatëve për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së. Kjo është një tjetër strukturë e lartë vendimmarrëse që drejton partinë në periudhën midis dy kuvendeve. Në Statut është parashikuar që Këshilli Kombëtar të mblidhet të paktën dy herë në vit, dispozitë kjo që nuk është zbatuar gjatë katër viteve të kaluara. Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar i hap rrugën zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë Qendrore të partisë si dhe drejtuesve kryesorë, siç janë nënkryetarët, sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e tjerë funksionalë.
Postet
Sipas burimeve, kreu i qeverisë pritet që në garën për poste drejtuese të PD-së të angazhojë deputetë që nuk do të përfitojnë poste në qeveri. Burimet bëjnë të ditur se, nëse funksionarët e lartë të PD-së nuk do të kishin poste ministrore, do të ishin më të përkushtuar ndaj postit partiak dhe kjo do ta gjallëronte selinë blu gjatë katër viteve të ardhshme në pushtet. Ideja e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake ka filluar të qarkullojë në Partinë Demokratike fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Deputetë të ndryshëm të PD-së deklaruan se shkak për humbjen në zgjedhje ishte mungesa e një organizimi të mirë të partisë. Sipas tyre, shkak për këtë u bë fakti që sekretarët e partisë ishin angazhuar më shumë me postin ministror, sesa me funksionin partiak. Deputetë të ndryshëm hodhën idenë e ndarjes së posteve ministrore nga ato partiake me qëllimin e funksionimit të partisë edhe gjatë viteve kur partia është në maxhorancë dhe drejton vendin. Por kjo ide që u diskutua në qarqet e PD-së para dy viteve, është rihedhur në diskutim brenda PD-së. Kjo për faktin se një vendim i tillë merret nga Kuvendi Kombëtar, i cili do të mblidhet së shpejti dhe do të votojë ndryshimet në Statutin e PD-së.
Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se miratimi i ndarjes së posteve do t’i shërbente shumë partisë për shkak se do të kënaqeshin “orekset” e figurave të ndryshme të PD-së që kanë ambicie për pushtet. Kështu, kryeministri Berisha, përveç disa deputetëve kryesorë që u jep portofola ministrorë, kënaq edhe deputetë të tjerë, të cilët i angazhon me poste në parti. Por kjo do të thotë që disa prej ministrave aktualë duhet të zgjedhin midis postit në qeveri apo postit në parti. Që të dyja këto poste kanë rëndësi të veçantë përsa i përket karrierës politike.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›