E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Idrizi përgënjeshtron negociatat me PDI-në



Deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, ka përgënjeshtruar dje deklaratat e kreut të PDI-së se po negocionte me të për t’iu bashkuar kësaj force për mbrojtjen e çështjes çame. “Nuk kam nevojë të bashkohem me PDI-në për të mbrojtur çështjen çame”, - ka theksuar Idrizi, duke shtuar se këtë çështje do ta mbrojë vetë në Parlamentin e ri. Reagimi i deputetit socialist erdhi pas deklaratave të kryetarit të PDI-së, Tahir Muhedini, sipas të cilave ai po negocionte me deputetin Idrizi për të rritur numrin e përfaqësuesve të partisë së tij në Parlament. Muhedini është shprehur dje për mediat se po zhvillohen negociata me deputetin socialist, i cili shpeshherë, edhe për shkak të origjinës së tij çame, është shprehur në Kuvend pro kësaj çështjeje delikate. Muhedini thotë se akoma nuk është kontaktuar nga kryeministri Berisha për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Duke iu referuar marrëveshjes paraelektorale me PD-në, kryetari i PDI-se flet edhe për përfaqësimin e kësaj force me një ministër në kabinet, vlerësim i cili, sipas tij, vjen natyrshëm duke analizuar votat që mori partia e çamëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, Partia për Drejtësi dhe Integrim, objektiv parësor të sajin ka zgjidhjen e çështjes çame.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›