E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-LSI, negociata të vështira për ndarjen e tortës së pushtetit

Aleatët e PD-së “shtojnë oreksin” për poste ministrore në qeveri

Eljona Ballhysa
Duket se ndarja e pushtetit qeverisës midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk do të jetë aspak e lehtë. Njerëz të afërt pranë dy kryetarëve të partive, Berishës dhe Metës, kishin konfirmuar ditë më parë se takimi zyrtar midis dy politikanëve do të zhvillohej më 20 gusht. Por, mosrealizimi i këtij takimi, sipas burimeve, tregon se negociatat mes palëve kanë ngecur diku. Kërkesat e LSI-së, e cila në Kuvendin e ardhshëm do të ketë 4 deputetë, çka do të thotë 4 vota pro qeverisë, duket se nuk janë miratuar nga Berisha, partia e të cilit në Kuvend do të ketë 69 deputetë. Pavarësisht numrit të deputetëve në Kuvend, edhe aleatët e PD-së kanë shtuar orekset duke kërkuar më shumë se një post ministror. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një prononcimi për mediat, ka pohuar dje se gjithnjë ka folur në numrin shumës përsa u përket posteve që i takojnë PR-së në qeveri. Edhe aleatët e tjerë të PD-së, të cilët, megjithëse nuk kanë arritur të marrin asnjë mandat deputeti, pretendojnë përfaqësim në kabinetin e ri qeveritar.
LSI
Pak ditë më parë, kryetari i Komiteti Drejtues të LSI-së, Edmond Haxhinasto, deklaroi tri fushat prioritare për të cilat LSI-ja do të japë kontributin e saj në qeveri. Sipas Haxhinastos, prioritet për LSI-në kanë Arsimi, Shëndetësia dhe Ekonomia. Kjo deklaratë e Haxhinastos nënkuptoi dhe tri kërkesat që LSI-ja do të paraqesë në tryezën e negociatave. Tri ministritë; e Arsimit, Shëndetësisë dhe e Ekonomisë, njihen si ministri kyçe përsa i përket zbatimit të programit politik dhe efekteve elektorale që ato sjellin për partinë që i drejton. Këto janë tri dikastere me fushën më të madhe të vendeve të punës, me të cilat LSI-ja mund të shpërblejë më së miri militantët dhe mbështetësit. E thënë nga kryetari i Komitetit Drejtues të LSI-së kjo kërkesë duket si më afër së mundshmes. Përtej kësaj prej ditësh qarkullon një seri kërkesash që LSI-ja do t’i parashtrojë në tryezën e bisedimeve. Gjithsesi, duket se si numri tri dikastereve, ashtu dhe pesha që përmbajnë këto poste nuk garantojë negociata të lehta mes palëve.
Aleatët
Një prej aleatëve tradicionalë të PD-së, Fatmir Mediu, ka konfirmuar dje për mediat se është takuar me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, me të cilin ka biseduar në parim për kabinetin e ri qeveritar. Ndërkaq, Mediu është shprehur se asnjëherë nuk ka folur në numrin njëjës për postet që do të marrë PR-ja në qeverinë e re, ndërsa ka nënkuptuar se do të kërkojë më shumë se një ministri. “Kam bërë takime me kryeministrin Berisha. Kemi folur në parim për qeverinë e ardhshme. Brenda muajit gusht do të mbyllen negociatat. Do të përcaktohen postet ministrore sipas peshës së çdo partie. Unë nuk kam folur asnjëherë në numrin njëjës për postet që do të marrë PR. Janë strukturat e PR-së ato që do të vendosin për përfaqësimin në qeveri dhe për emrat”, - është shprehur kreu i republikanëve, Mediu.
Një tjetër aleate që i shtohet listës së kërkesave për poste ministrore është Partia për Drejtësi dhe Integrim. Kryetari i kësaj partie, Tahir Muhedini, ndërsa deklaron se do të kërkojë një post ministror, risjell në vëmendje marrëveshjen parazgjedhore të nënshkruar me PD-në. Muhedini tregon se para zgjedhjeve kishte rënë dakord me Berishën që PDI-ja do të merrte post zëvendësministri në rast se nuk fitonte asnjë mandat deputeti. Por PDI-ja arriti që në zgjedhjet e 28 qershorit të marrë një deputet, ndaj dhe kërkesa e saj shkon përtej postit të zëvendësministrit. Ndërkaq, një tjetër aleate që pritet t’i afrohet PD-së është PBDNJ-ja. Burime nga kjo parti bëjnë të ditur se shumë shpejt do të mblidhen strukturat drejtuese të kësaj partie për të vendosur se si do t’i përgjigjen ftesës së Berishës. Në rast se përgjigjja është pozitive, atëherë Berishës i duhet të bëjë gati dhe një tjetër karrige në qeveri për Vangjel Dulen.
Përveç partive që në zgjedhje arritën të fitojnë një mandat deputeti, kërkesa për përfaqësim në qeveri kanë dhe kryetarët e partive të tjera, aleate të PD-së, që nuk arritën të marrin asnjë deputet. Kështu, kryetari i PAD-së Ceka është shprehur për një përfaqësim të tijin në qeveri, duke nënkuptuar marrjen e një posti zëvendësministri. Por post zëvendësministri pretendojnë dhe aleatët e tjerë si Starova, Lesi, Xhuveli, Spahiu etj.

Fatmir Mediu
“Kam bërë takime me kryeministrin Berisha. Kemi folur në parim për qeverinë e ardhshme. Brenda muajit gusht do të mbyllen negociatat. Do të përcaktohen postet ministrore sipas peshës së çdo partie. Unë nuk kam folur asnjëherë në numrin njëjës për postet që do të marrë PR. Janë strukturat e PR-së ato që do të vendosin për përfaqësimin në qeveri dhe për emrat”.

Edmond Haxhinasto
“LSI-ja do të insistojë për sektorët e Shëndetësisë, Arsimit dhe Ekonomisë. LSI-ja është përgatitur për të paraqitur në tryezën për negociata prioritetet e saj, që ajo i vlerëson se janë të rëndësishme dhe që duhet të jenë pjesë e programit të përbashkët qeverisës. Kjo është një çështje për të cilën do të merret një vendim së shpejti. Por, pavarësisht nga pozicioni që do të mbajë në qeverisjen e ardhshme, lidershipi i LSI-së do të jetë prezent në qeveri”.

Tahir Muhedini
“Kemi firmosur para zgjedhjeve një aktmarrëveshje, e cila parashikon bashkëpunimin para dhe paszgjedhor. Në aktmarrëveshje nuk është përcaktuar se çfarë postesh do të marrim. Por gjatë bisedimeve paraprake me Sali Berishën kemi rënë dakord se nëse ne nuk do të merrnim në zgjedhje asnjë mandat deputeti, në qeveri do të përfaqësoheshim me post zëvendësministrash. Por ne arritën të merrnim një mandat deputeti dhe tani pretendojmë më shumë”.

21 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›