Berisha lançon projektin e ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë

KPS miraton paketën e Komisionit Evropian prej 83 milionë eurosh
Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, Komiteti i Planifikimit të Strategjive, shqyrtoi dhe miratoi paketën e fondit prej 83 milionë Euro, të akorduar nga Komisioni Europian, për financimin e një serë projektesh, me synim vazhdimësinë e reformave, zhvillimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e konsolidimin e institucioneve në vend. Në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh se fushat prioritare, që do të financohen nga ky projekt janë policia dhe drejtësia. Ndërsa përfshihen dhe një sërë investimesh të tjera të rëndësishme, siç është dhe projekti i madh i ndërtimit të Pallatit të Drejtësisë, për realizimin e të cilit Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës kanë gjetur truallin, në trajektoren e Bulevardit të Ri. Berisha tha se Pallati i ri i Drejtësisë do të ndërtohet si pjesë e bulevardit të ri të kryeqytetit, i cili gjithashtu do të dyfishohet sipas projektit të kryebashkiakut Lulzim Basha. “Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me Komisionin, ka bërë një punë të lavdërueshme. Së bashku me Bashkinë e Tiranës, kanë gjetur truallin, i cili vendoset në trajektoren e Bulevardit të Ri që Bashkia është e vendosur ta ndërtojë brenda mandatit të parë të zotit Basha. Qytetarët e presin atë dhe unë jam i bindur se Tirana, qyteti që ka një nga bulevardet më të bukura në Europë, do të ketë dyfishimin e tij në mos dhe më tutje. Një nga ndërtesat e reja buzë bulevardit do të jetë Pallati i Drejtësisë, i konceptuar si një kompleks ndërtesash, për Gjykatën e Lartë, për Prokurorinë e Përgjithshme, për Gjykatën e Tiranës, për Gjykatën Kushtetuese, pra do të mund të bëhet fjalë realisht për një qytezë, më shumë se sa një pallat, të Drejtësisë, ç’ka është shumë domosdoshme për funksionimin e saj”, u shpreh Berisha. Duke u ndalur te fushat prioritare si drejtësia dhe policia, Kryeministri tha se qeveria do vazhdojë të mbështesë me investime dhe ndihmë konkrete këto dy sektorë jetikë për forcimin e shtetit ligjor. “Kjo mbledhje e Komitetit për Planifikimin e Strategjisë, është thirrur për të miratuar projektet dhe paketën prej 83 milion eurosh, të shpërndarë në një seri projektesh për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve, siç është në filozofinë e kësaj ndihme bujare të Komisionit Europian dhe kryesisht në fushat prioritare, siç është policia, drejtësia si dhe projektet e tjera të rëndësishme të kësaj fushe. Por, natyrisht në një raport të balancuar, midis nevojave për investime konkrete dhe për ndihmë teknike, raporti mbështet disa reforma të rëndësishme në drejtësi, në polici, në fushën e standardeve të ushqimit dhe bujqësisë. Dua të përgëzoj Ministrinë e Integrimit dhe Departamentin e Bashkërendimit të Ndihmave për negociatat intensive që kanë zhvilluar, si me Komisionin Europian ashtu edhe me të gjitha institucionet përfituese nga kjo paketë, duke asistuar këto institucione në përgatitjen më precize, më të saktë, më racionale të kërkesave të tyre”, tha kryeministri. Paketa e Komisionit Evropian prej 83 milionë euro, përfshin investime të rëndësishme, krahas investimit madhor për Pallatin e Drejtësisë. Në investimet e tjera konkrete, përfshihen dhe investimet në sistemin e kanalizimit të Vlorës, by-pass-in e Rrogozhinës dhe ky një investim i rëndësishëm, që shmang trafikun kryesor nga qyteti i Rrogozhinës dhe do të jetë në të ardhmen, një nga nyjet më të rëndësishme të autostradës Fushë-Krujë-Rrogozhinë edhe kjo arterie shumë e rëndësishme, e qarkullimit, e trafikut brenda vendit. “Janë projekte të tjera, të cilat u përkushtohen komuniteteve”, tha Berisha, duke theksuar se ka një mbështetje edhe për Shoqërinë Civile, roli i së cilës në një shoqëri demokratike, është i pazëvendësueshëm. “Ka dhe një mbështetje për shoqërinë civile, gjë të cilën unë e përshëndes. Është evidente përpjekja e qeverisë shqiptare, që në këtë kohë krize të thellë globale, të mund të mobilizojë fonde për shoqërinë civile, pasi roli i saj në një shoqëri demokratike është i pazëvendësueshëm”, tha ai. Përfitues në total të paketës prej 83 milionë euro, do të jetë Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave me një doganë të re në Hanin e Hotit, të njëjtë me atë të Murriqanit. Ministria e Inovacionit Teknologjisë Informacionit dhe Komunikimit, rreth 1 milion euro janë parashikuar për AKSHIN, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Bujqësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Integrimit. Është programi Tempus i Ministrisë së Arsimit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pra janë një seri institucionesh të vendit që përfitojnë në këtë shumë, e cila është shpërndarë midis ndihmës për konsolidimin e institucioneve dhe reformave dhe ndihmës për infrastrukturën.
...